Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas përshkallëzimit të tensioneve gjatë protestave në Tiranë, duke u bërë thirrje protestuesve dhe forcave të rendit për përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.

Në një deklaratë të publikuar në Facebook të mërkurën, më 14 tetor, Begaj shprehu shqetësimin për zhvillimet e fundit dhe theksoi rëndësinë e garantimit të së drejtës për protestë paqësore, duke paralajmëruar se dhuna dhe përdorimi joproporcional i forcës nuk mund të justifikohen.
“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Kreu i shtetit nënvizoi se protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike, ndërsa përdorimi i forcës nga policia duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.
“E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit”, deklaroi Presidenti.
Reagimi i Begajt vjen në ditën e dytë të protestave pranë Ministrisë së Arsimit, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, hedhje gurësh e koktejesh molotov, si dhe zjarrvënie në prona publike dhe private.
Sipas përditësimit të institucioneve shëndetësore në orën 16:30, gjashtë protestues dhe dy efektivë policie kanë marrë ndihmë mjekësore. Pesë persona vijojnë trajtimin në Spitalin Universitar të Traumës, ndërsa tre protestues të tjerë janë liruar nga QSUT-ja.
Në reagimin e tij, Begaj theksoi se respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit duhet të jetë detyrim për të gjitha palët, pa përjashtim.
“Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim”, theksoi ai.
Presidenti shprehu gjithashtu gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e protestuesve dhe qytetarëve, duke ofruar Presidencën si hapësirë për dialog.
“Mbetem i gatshëm të dëgjoj të gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, përfundoi Presidenti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Presidenti Begaj për tensionet në Tiranë kërkon vetëpërmbajtje dhe hap dyert pë dialog appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




