Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë vazhduar përfundimin e kurseve të ndryshme për ngritje profesionale ushtarake.

Në një njoftim për media, FSK-ja ka njoftuar për suksesin e radhës që një pjesëtar i saj e ka arritur në Mbretërinë e Bashkuar.
“OR-5 Valdrin RRECAJ nga Mbrojtja e Afërt e Policisë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses Kursin e Mbrojtjes së Afërt në Mbretërinë e Bashkuar. Kursi i cili zgjati nëntë javë, ishte një trajnim intensiv dhe me kërkesa të larta fizike e profesionale, ku nga 30 pjesëmarrës që nisën trajnimin, vetëm 14 arritën ta përfundonin me sukses.”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Gjatë këtij programi, sipas njoftimit, pjesëmarrësit u angazhuan në skenarë të ndryshëm operacional, përfshirë edhe ushtrime të evakuimit me helikopter.
“Pjesëtari i FSK-së e përfundoi kursin me rezultate të larta dhe me vlerësim të shkëlqyeshëm nga instruktorët, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi, përkushtimi dhe gatishmërie. Ky trajnim, i realizuar në bashkëpunim me Ushtrinë Britanike dhe Policinë Ushtarake Mbretërore (Royal Military Police), dëshmon partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Policisë Ushtarake të FSK-së dhe institucioneve ushtarake britanike.”, thuhet tutje në njoftim.
FSK-ja ka thënë se përvoja dhe njohuritë e fituara do të kontribuojnë në ngritjen e mëtejme të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të Policisë Ushtarake. /Klankosova.tv





