Pascal Gross zbulon alergjinë e pazakontë që e mundon në çdo ndeshje

Pascal Gross zbulon alergjinë e pazakontë që e mundon në çdo ndeshje

Pascal Gross zbulon alergjinë e pazakontë që e mundon në çdo ndeshje

Mesfushori i Brightonit, Pascal Gross, ka zbuluar alergjinë nga e cila vuan dhe e cila e shoqëron në çdo ndeshje që luan për skuadrën angleze.

Sponsor 3M Express

Në aventurën e tij të dytë me Brightonin, Gross është shndërruar në një nga lojtarët më të dalluar të skuadrës, e cila po kalon një formë të shkëlqyer dhe renditet në vendin e dytë në Premierligë pas 11 xhirove.

Reprezentuesi gjerman ka realizuar katër gola dhe ka dhuruar katër asistime në këtë fillim mbresëlënës të sezonit.

Megjithatë, paraqitjet e tij bëhen edhe më interesante pas zbulimit se ai përballet çdo ditë me një reaksion alergjik.

Në një intervistë të re për “BBC”-në, Gross ka treguar se është alergjik ndaj barit.

Duke biseduar me ish-sulmuesin e Brightonit, Glenn Murray, Gross ka shpjeguar se nga kjo alergji vuan që nga fëmijëria dhe se nëna e tij e vëren menjëherë sa herë që ai luan futboll.

I pyetur nëse është e vërtetë që vuan nga alergjia ndaj barit, ai u përgjigj: “Po, gjatë gjithë jetës sime. Kam këtë alergji që kur isha fëmijë, por mund ta përballoj dhe nuk është edhe aq e rëndë. Nëse më shihni në fushë duke kruar krahët, atëherë e kuptoni”.

“Nëna ime më dërgon gjithmonë mesazhe, sepse e vëren menjëherë kur më shfaqet reaksioni alergjik. Gjatë verës është edhe më keq”, ka treguar Gross.

Alergjia e tij nuk ka qenë shumë e njohur për publikun. Megjithatë, futbollisti gjerman kishte folur edhe më parë për këtë problem, gjatë kohës kur ishte pjesë e Borussia Dortmundit.

Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit gjerman, Gross kishte zbuluar se arsyeja pse luan gjithmonë me fanellë me mëngë të gjata, pavarësisht kushteve atmosferike, lidhet pikërisht me alergjinë ndaj barit.

Edhe pse në raste shumë të rralla është parë me fanellë me mëngë të shkurtra, ai zakonisht preferon t’i mbulojë krahët.

“E bëj këtë në mënyrë që lëkura ime të mos ekspozohet ndaj shumë irritimeve. Kam alergji ndaj barit”, kishte deklaruar ai.

Alergjia ndaj polenit të barit, e cila shkakton simptoma si teshtitja, kruarja e syve dhe rrjedhja e hundëve, është mjaft e përhapur.

Por alergjia që shfaqet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë të lëkurës me barin është shumë më e rrallë. Megjithatë, Gross nuk është futbollisti i vetëm që përballet me një problem të tillë.

Ish-sulmuesi i Manchester Cityt dhe Liverpoolit, Mario Balotelli, kishte vuajtur nga një alergji ndaj llojit të barit në stadiumin “Valeriy Lobanovskiy”, në ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Dynamo Kievit në vitin 2011.

Fytyra e italianit ishte ënjtur dhe ai ishte zhdukur për pak çaste në fillim të pjesës së dytë.

Pasi një ilaç antihistaminik nuk pati efekt, Balotelli u detyrua të largohej nga loja pak pas fillimit të pjesës së dytë, për shkak të komplikimeve që iu shfaqën.

Ashtu si Gross, edhe mbrojtësi i Mainzit, Danny da Costa, luan me fanellë me mëngë të gjata për të shmangur kontaktin me barin, i cili i shkakton kruarje dhe skuqje të pakëndshme të lëkurës.

Një tjetër ish-futbollist i Premierligës, Yoan Gouffran, i cili kishte luajtur për Newcastle Unitedin, ishte detyruar të konsultohej me një specialist të alergjive për shkak të problemeve që i shfaqeshin gjatë lojës në fushat me bar.

Ish-trajneri i tij te Bordeaux, Jean Tigana, kishte deklaruar: “Për një futbollist, kjo është e sikletshme. Do të ishte më mirë për të të luante në fusha sintetike, si ato në Nancy apo Lorient”.

Edhe në sportin e golfit ka pasur raste të ngjashme. Golfisti Ian Poulter ishte diagnostikuar me alergji ndaj të gjitha llojeve të barit, përveç njërit, pasi kishte vuajtur nga kruarja e vazhdueshme e shpinës./GazetaExpress/

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

U kapën me 136 kilogramë marihuanë, Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve

U kapën me 136 kilogramë marihuanë, Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve

“Lindi një burrë që kurrë nuk vdes”, Gold AG kujton Adem Jasharin në 28 Nëntor

“Lindi një burrë që kurrë nuk vdes”, Gold AG kujton Adem Jasharin në 28 Nëntor

Kush është 26-vjeçarja që u arrestua në aksionin “Kufiri 2” dhe cili ishte roli i saj në transportin e drogës?

Kush është 26-vjeçarja që u arrestua në aksionin “Kufiri 2” dhe cili ishte roli i saj në transportin e drogës?