Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për atë që e konsideron mungesë gatishmërie për ta ndihmuar Ukrainën, pas një sulmi rus në Kramatorsk ku u vranë të paktën 30 persona.
Sulmi ndaj dy autobusëve në qytetin lindor të Ukrainës e ka çuar në mbi 70 numrin e viktimave nga sulmet ruse gjatë vetëm dy ditëve.

Duke folur para gazetarëve në Pryluky, Zelensky i bëri thirrje Washingtonit që të zgjerojë qasjen e Ukrainës në shërbimin satelitor “Starlink”, me qëllim që të ndihmohet në mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe shënjestrimin e raketahedhësve balistikë rusë.
“Hapeni Starlinkun për Ukrainën. Na ndihmoni që ta mbrojmë qiellin tonë dhe të mbizotërojmë aty. Pastaj, Putini do të ulet në tavolinën e bisedimeve”, tha Zelensky.
Ai kritikoi gjithashtu qasjen e Washingtonit ndaj Moskës, duke iu referuar deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se lufta mes Ukrainës dhe Rusisë ndodhet në ngërç dhe se SHBA-ja do të vazhdojë përpjekjet për një zgjidhje.
“Atëherë ku është e vërteta këtu, ku është sinqeriteti? Ku është ngërçi? Kjo quhet mungesë gatishmërie”, deklaroi Zelensky.
Sipas tij, është kontradiktore që në njërën anë të kërkohet zgjidhje diplomatike për luftën, ndërsa në anën tjetër të diskutohen projekte të ardhshme ekonomike me Rusinë.
“Nuk mund të bisedosh me rusët për projektet e ardhshme ekonomike, përderisa, në anën tjetër, thua se gjendemi në njëfarë ngërçi diplomatik”, tha presidenti ukrainas.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Pas mbi 70 viktimave në dy ditë, Zelensky kritikon SHBA-në: Ku është sinqeriteti? appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




