Pas një hetimi disavjeçar, policia në Nevada të ShBA-së ka arritur të identifikojë personin, eshtrat e të cilit u gjetën të vendosura brenda një fuçie të ndryshkur pranë Las Vegasit.

Bëhet fjalë për Edward “Buddy” Lelburian Jackson, i cili u gjet në maj të vitit 2022, me një plagë nga arma e zjarrit në kokë. Fuçia ishte bërë e dukshme në liqenin Mead, pasi thatësira e madhe kishte shkaktuar rënien e nivelit të ujit.
Identiteti i tij mbeti i panjohur deri vonë, kur hetuesit arritën të gjenin familjarët e tij përmes analizave të ADN-së, njoftoi Departamenti i Policisë Metropolitane të Las Vegasit.
Robert Price, detektiv i hetimeve për vrasje, tha se deri më tani nuk ka prova që vdekja e Jacksonit të ketë lidhje me ndonjë grup kriminal të njohur, pavarësisht spekulimeve se rasti mund të ketë të bëjë me mafien, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
“Në këtë fazë të hetimit, nuk kemi informacione që i mbështesin këto teori”, tha Price.
Sipas tij, Jackson dyshohet se është vrarë me një plumb në kokë gjatë viteve 1980. Ai besohet të ketë qenë në mesin ose në fund të të pesëdhjetave kur ka vdekur.
Jackson ishte me origjinë nga shteti i Arkansasit, por udhëtonte shpesh në pjesë të ndryshme të perëndimit të SHBA-së. Ai kishte jetuar më parë edhe në Kaliforni dhe Jutë.
Policia nuk ka publikuar fotografi të reja të tij. Sipas hetuesve, viktima kishte një plagë të vetme nga arma e zjarrit në kokë. Plumbi që i mori jetën nuk është gjetur, ndërsa brenda fuçisë nuk janë zbuluar sende të tjera, përveç rrobave që ai kishte veshur.
Familjarët e tij të largët në Arkansas u thanë hetuesve se Jackson njihej si person që lëvizte vazhdimisht nga një vend në tjetrin.
“Ai udhëtonte nëpër vend. Shfaqej kur dëshironte”, shpjegoi Price.
Hetuesit janë ende në përpjekje për të identifikuar autorin e vrasjes dhe për të zbuluar motivin e saj. Sipas detektivit, Jackson nuk njihej si person që merrej me bixhoz, ndërsa kalimi i shumë viteve mund ta vështirësojë identifikimin e personave me të cilët ai kishte pasur kontakte.
Liqeni Mead, rezervuari më i madh në ShBA, furnizon me ujë të pijshëm rreth 20 milionë njerëz, nga Las Vegasi deri në Los Anxhelos.
Autoritetet kishin paralajmëruar më herët se rënia e nivelit të ujit për shkak të thatësirës mund të nxirrte në sipërfaqe edhe trupa të tjerë.
Deri më tani, në liqen janë gjetur edhe tre trupa të tjerë, identiteti i të cilëve është konfirmuar. Dy persona dyshohet se kanë vdekur nga mbytja në ujë, ndërsa shkaku i vdekjes së personit të tretë mbetet i paqartë.
Në përpjekje për të identifikuar viktimën, policia kishte krijuar më herët edhe një model tredimensional të kafkës së tij.




