Mbrojtësi i skuadrës së Dritës ishte vendimtar në fitoren 1:0 ndaj FC Ballkanit, duke realizuar golin e vetëm të ndeshjes në minutat e fundit të takimit. Ky gol i siguroi Dritës tri pikë të rëndësishme në garën e sivjetme të kampionatit.
Pas marrjes së çmimit, Krasniqi u shpreh i lumtur me fitoren dhe kontributin e tij, duke theksuar se skuadra kishte besuar në sukses edhe përkundër vështirësive pas humbjes në shtëpi nga Malisheva.

“Jam shumë i lumtur, sepse në minutën e 90-të është edhe njëherë një gol shumë i gëzueshëm për mua dhe gjithë ekipin. Besoj se duhet të vazhdojmë kështu, sepse kemi shumë punë për të bërë dhe nuk duhet të ndalemi”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se Drita mbetet e përkushtuar në synimin për ta fituar titullin e kampionit, pavarësisht konkurrencës së fortë këtë sezon.
“Drita gjithmonë është pretendente për titull. Ne besojmë shumë dhe e dimë kualitetin tonë, e dimë cilësinë e skuadrës dhe deri në fund do të luftojmë, sepse Drita gjithmonë synon titullin dhe asgjë tjetër”, deklaroi ai.
Krasniqi foli edhe për rëndësinë e punës dhe këmbënguljes gjatë karrierës së tij, duke theksuar se mosha nuk e pengon të vazhdojë të japë maksimumin.
“Unë gjithmonë mundohem të jap më të mirën në stërvitje dhe gjatë gjithë këtyre viteve kam punuar mjaft shumë. E kam një gjë të fortë brenda vetes që nuk dorëzohem asnjëherë. Për mua, mosha është vetëm një numër dhe do të vazhdoj kështu të punoj shumë e të mos ndalem”, u shpreh ai.
Në fund, futbollisti i Dritës falënderoi familjen për mbështetjen e vazhdueshme, duke veçuar bashkëshorten, për përkrahjen gjatë karrierës së tij.
Përzgjedhja e “Yllit të Javës” bëhet nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet FFK-së dhe sponsorit zyrtar të Superligës, Albi Mall.
Burimi: RTKLive




