Aleanca ka prezantuar para strukturave të saj strategjinë e re politike, duke vënë theksin te forcimi i rolit opozitar në Kuvend dhe përgatitja konkrete për marrjen e përgjegjësive qeverisëse në të ardhmen.

Në sallën ku u mblodhën strukturat partiake, krahas flamurit shtetëror të Kosovës dhe atij të partisë, u vendosën edhe simbolet e organizatave ndërkombëtare ku synohet anëtarësimi i Republikës. Megjithatë, për të arritur deri tek këto synime, nga Aleanca u theksua se kërkohet përkushtim dhe punë e vazhdueshme, raporton Klan Kosova.
Kreu i Aleancës, Ardian Gjini theksoi se partia po bëhet gati për të ofruar alternativa konkrete qeverisëse.
Gjatë prezantimit të strategjisë, theks i veçantë iu kushtua sektorëve jetikë si shëndetësia, arsimi dhe në veçanti zhvillimi ekonomik, për të cilin u vlerësua se gjendja aktuale nuk është e mirë. Sipas Gjinit, qytetarëve duhet t’u garantohen kushte dinjitoze jetese për të frenuar largimin e tyre nga vendi.
Nga ky tubim u drejtuan kritika edhe ndaj qeverisjes aktuale të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, me vlerësimin se vendi nuk po ecën në rrugën e duhur të mirëqenies sociale. Për këtë arsye, u kërkua angazhim maksimal dhe përmirësim i vazhdueshëm në terren, në mënyrë që partia të fitojë besimin e plotë të qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.
Në përmbyllje, u nënvizua se Aleanca nuk do të dorëzohet para sfidave dhe se peshën e saj në skenën politike do ta ushtrojë gjithnjë me përgjegjësi të lartë shtetërore.
Për më shumë, ndiqeni kronikën më poshtë:




