Papa Leoni XIV do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim, pasi gjatë një kontrolli mjekësor i është zbuluar një nodul në mushkëri.

“ Mjekët kanë gjetur një nodul në mushkëri, në fazë të hershme dhe të lokalizuar mirë”, u ka thënë Papa besimtarëve gjatë lutjes së tij të përjavshme të së dielës, në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë.
Papa 71-vjeçar ka bërë të ditur se ekipi i tij mjekësor ka vlerësuar se ndërhyrja është e nevojshme dhe se ai ka pranuar t’i nënshtrohet operacionit. Ai ka siguruar besimtarët se noduli është i kufizuar dhe është zbuluar në një fazë të hershme.
Zëdhënësi i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, ka njoftuar se operacioni është planifikuar për ditët e para të javës së ardhshme. Sipas tij, Papa pritet të ketë nevojë për rreth një javë rikuperim, transmeton Klankosova.tv
Portali “Vatican News” ka raportuar se ndërhyrja do të kryhet në spitalin Gemelli në Romë, ku ekziston një sektor i posaçëm për Papën, i krijuar pas atentatit të dështuar ndaj Papa Gjon Palit II në maj të vitit 1981.
Papa Leoni XIV, emri i lindjes i të cilit është Robert Francis Prevost, u zgjodh në krye të Kishës Katolike në vitin 2025, pas vdekjes së Papa Françeskut. Ai është Papa i 267-të dhe i pari amerikan që mban këtë post. Para zgjedhjes, ai kishte shërbyer për vite si misionar në Peru, ku u angazhua me komunitetet e margjinalizuara.




