Infermieria është një profesion që kërkon përkushtim dhe kujdes të vazhdueshëm ndaj të tjerëve, por për disa punonjës shëndetësorë, përvojat në spital mbeten të paharrueshme, madje edhe rrëqethëse.

Një infermiere ka ndarë në TikTok një nga përvojat më të frikshme të karrierës së saj, pasi një paciente e moshuar i kishte treguar për një djalë të vogël që, sipas saj, po qëndronte në një karrige të zbrazët në dhomë.
Ngjarja thuhet se kishte ndodhur gjatë një ndërrimi të natës në një spital në Luiziana të SHBA-së. Pacientja, rreth të 80-ave dhe plotësisht e vetëdijshme, e kishte thirrur infermieren rreth orës 02:30, duke i kërkuar ta kthente karrigen nga muri, shkruan Daily Star, transmeton Klankosova.tv.
“Djali i vogël që është ulur në të po më buzëqesh. Nuk më pëlqejnë sa shumë dhëmbë ka”, thuhet t’i ketë thënë pacientja.
Infermierja mendoi se bëhej fjalë për halucinacione dhe e ktheu karrigen nga muri. Por, rreth 20 minuta më vonë, pacientja e thirri sërish, këtë herë e përlotur.
“Nuk është dashur t’ia kthesh karrigen”, i tha ajo. Kur infermierja e pyeti pse, përgjigjja e saj ishte edhe më e frikshme: “Sepse tani ai po qëndron pas teje”.
Sipas rrëfimit, rreth orës 03:17 pacientja pësoi arrest kardiak dhe, pavarësisht përpjekjeve të stafit, ndërroi jetë.
Por historia nuk përfundoi me kaq. Infermierja pretendoi se gjatë përgatitjes së dhomës kishte gjetur një shënim të palosur nën jastëkun e pacientes, ku shkruhej: “Ai nuk është djalë i vogël. Thjesht përkulet që ti t’ia shohësh fytyrën”.
Ajo e lidhi këtë përvojë me vdekjen e një vajze shtatëvjeçare, e cila kishte ndërruar jetë në të njëjtën dhomë tre muaj më parë dhe, para se të vdiste, kishte bërtitur se po shihte një burrë në cep të dhomës.
E frikësuar nga këto përvoja, infermierja pretendoi se kishte vendosur ta linte punën. Por edhe në ditën e fundit, sipas saj, një roje sigurie e ndaloi te dalja dhe e pyeti:
“Pse ai djaloshi i vogël të ndjek gjithmonë nëpër korridor?”
Rrëfimi u bë viral në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta. Megjithatë, bëhet fjalë për një histori të publikuar në TikTok, autenticiteti i së cilës nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur./Klankosova.tv




