Bankat komerciale në Kosovë, përmes Shoqatës së Bankave të Kosovës, po kërkojnë krijimin e kushteve ligjore dhe teknike për mundësimin e përditësimit digjital të të dhënave të klientëve, pa qenë e nevojshme që qytetarët të paraqiten fizikisht në degët bankare.

Kërkesa e sektorit bankar lidhet me detyrimet për identifikimin dhe verifikimin e vazhdueshëm të klientëve (KYC), në kuadër të legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (AML/CFT).
Sipas shqetësimeve të ngritura nga bankat, mosrealizimi i përditësimit të të dhënave nga klientët mund të çojë në kufizimin e shërbimeve apo përdorimit të llogarive bankare, duke shkaktuar pakënaqësi te qytetarët.
Një nga zgjidhjet e propozuara është finalizimi dhe nënshkrimi i draft-rregullores për llojin, sasinë dhe informacionet që mund t’u barten institucioneve dhe organeve kërkuese, e përgatitur nga Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Kjo rregullore do të krijonte bazën ligjore që bankat të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat bazike të klientëve përmes regjistrave zyrtarë shtetërorë.
Për këtë çështje, në njoftimin e sektorit bankar theksohet se “bankat komerciale në Kosovë po kërkojnë krijimin e kushteve ligjore dhe teknike për përditësimin digjital të të dhënave të klientëve”.
Kërkesa e bankave fokusohet veçanërisht te klientët e klasifikuar me rrezikshmëri të ulët, për të cilët verifikimi periodik mund të realizohet përmes kanaleve elektronike.
Sipas qasjes së bazuar në rrezik, kur nuk ka ndryshime të rëndësishme në profilin e klientit dhe informacionet mund të konfirmohen nga burime të besueshme, procedurat mund të thjeshtohen.
Në njoftim sqarohet se kjo nuk nënkupton shmangien e detyrimeve ligjore të bankave, por krijimin e një mekanizmi alternativ për përmbushjen e tyre.
“Kjo nuk do të nënkuptonte shmangien e detyrimeve të bankave për identifikimin dhe monitorimin e klientëve, por krijimin e një mekanizmi alternativ, më efikas dhe proporcional me nivelin e rrezikut”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, për klientët me rrezikshmëri më të lartë, si dhe në rastet kur evidentohen mospërputhje në të dhëna, bankat do të vazhdonin të aplikonin kontrolle shtesë.
Një ndër problemet e evidentuara është kufizimi i shërbimeve bankare për klientët që nuk u përgjigjen kërkesave të bankave për përditësimin e të dhënave.
Kjo situatë prek veçanërisht qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës, personat e moshuar dhe banorët e zonave rurale, të cilët mund të kenë vështirësi të paraqiten fizikisht në degët bankare.
Sipas sektorit bankar, mundësimi i verifikimit elektronik do të ndihmonte në shmangien e një pjese të këtyre rasteve, duke u mundësuar bankave të konfirmojnë informacionet e nevojshme përmes regjistrave shtetërorë.
Në njoftim theksohet se “qytetarët e perceptojnë kufizimin si vendim të vetë bankës, ndonëse ai buron nga detyrimet ligjore që institucionet financiare duhet të respektojnë”.
Një zhvillim i ngjashëm është duke u diskutuar edhe në Shqipëri, ku janë propozuar ndryshime në projektligjin për bazat e të dhënave shtetërore, me synimin që bankat dhe institucionet financiare të kenë mundësi të verifikojnë drejtpërdrejt të dhënat e klientëve në regjistrat zyrtarë.
Sipas propozimit, qasja në të dhënat personale do të kushtëzohej nga pëlqimi i klientit, ndërsa institucionet financiare do të kishin të drejtë vetëm të lexonin informacionet, pa mundësi për t’i ndryshuar apo fshirë ato.
Shoqata e Bankave të Kosovës kërkon që ARC dhe Ministria e Punëve të Brendshme të përmbyllin procesin e nënshkrimit të draft-rregullores, e cila, sipas njoftimit, është përgatitur prej muajsh.
Sektori bankar vlerëson se zbatimi i këtij mekanizmi do të reduktonte procedurat administrative, do të përmirësonte saktësinë e të dhënave dhe do të lehtësonte përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Megjithatë, qasja në regjistrat shtetërorë duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë autorizimi, mbrojtje të të dhënave personale, siguri kibernetike dhe gjurmueshmëri të çdo verifikimi.
Në përfundim, bankat konsiderojnë se finalizimi i draft-rregullores do të mundësonte një proces më të thjeshtë për qytetarët, duke ruajtur njëkohësisht kërkesat ligjore për sigurinë dhe integritetin e sistemit financiar. /Telegrafi/





