Një burrë në të 30-at ka humbur jetën pasi është goditur nga një autoambulancë në autostradën A19, pranë Sunderlandit, në orën 02:00 të mëngjesit.

Sipas policisë, autoambulanca ishte duke transportuar një pacient drejt spitalit dhe në momentin e aksidentit nuk i kishte të ndezura dritat sinjalizuese blu. Burri po ecte në rrugë kur u godit dhe vdiq në vendin e ngjarjes.
Në autoambulancë nuk ka pasur të lënduar. Pacienti që po transportohej dhe partneri i tij janë transferuar në një autoambulancë tjetër për të vazhduar drejt spitalit.
Shoferi i autoambulancës, një burrë në të 40-at, ka qëndruar në vendin e ngjarjes për të bashkëpunuar me policinë, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Policia e Northumbria-s ka nisur hetimet dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pamje nga kamerat e sigurisë apo kamerat e veturave (dashcam) që të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Shërbimi i Ambulancës në Verilindje të Anglisë e ka cilësuar ngjarjen si tragjike, ndërsa u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës.





