Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar lidhur me zvarritjen e procesit të plotësim-ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar nga shumica parlamentare dhe të gjitha subjektet politike që ta përfundojnë sa më parë këtë proces.

Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK ka shprehur shqetësimin për zhvillimet politike rreth kësaj çështjeje, duke e cilësuar të papranueshme zvarritjen e saj për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare.
“Për ne, si veteranë të UÇK-së, është tërësisht e papranueshme që kjo çështje kaq e rëndësishme të zvarritet për shkak të përplasjeve politike apo presionit të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Kjo organizatë u ka bërë thirrje shumicës parlamentare dhe të gjitha subjekteve politike që t’i lënë anash dallimet partiake dhe të angazhohen për përfundimin e procesit.
“Qeveria dhe shumica parlamentare duhet ta kenë të qartë se përgjegjësia e tyre është të veprojnë dhe të mos lejojnë që vonesat të bëhen pengesë për përfundimin e këtij procesi”, thuhet tutje në reagimin e OVL-UÇK-së.
Po ashtu, veteranët kanë kundërshtuar përdorimin e kësaj çështjeje për përplasje politike dhe thellim të ndasive mes subjekteve politike.
“OVL e UÇK-së rithekson se është e papranueshme dhe e pandershme që një çështje kaq e ndjeshme të shfrytëzohet për të krijuar ndasi politike apo për të thelluar përçarjet mes subjekteve politike”, thuhet në reagim.
Në fund, OVL-UÇK ka paralajmëruar edhe protesta gjithëpopullore në rast se procesi vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti.
“Pavarësisht deklarimeve publike për vullnet politik, nëse ky proces vazhdon të zvarritet dhe nuk përfundon së shpejti, OVL e UÇK-së paralajmëron se do t’i kundërvihet kësaj qasjeje përmes organizimit të protestave gjithëpopullore”, thuhet në reagim.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar që plotësim-ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratohen me procedurë të përshpejtuar, brenda afatit më të shkurtër që lejojnë procedurat parlamentare dhe institucionale.
Burimi: Insajderi





