Sadio Mane ka dëshmuar edhe një herë se miqësia e tij me Desire Segbe shkon përtej futbollit, duke i siguruar mikut të tij më të mirë një tjetër rol të rëndësishëm, këtë herë jashtë fushës së blertë.

Ish-ylli i Liverpoolit dhe Bayern Munichut e ka emëruar Segben drejtor sportiv të Bourges FC, klubit francez të kategorisë së katërt, të cilin senegalezi e ka në pronësi që nga viti 2023.
Historia e tyre e veçantë kishte nisur shumë vite më parë në akademinë senegaleze të futbollit “Generation Foot”, ku të dy ishin njohur dhe më pas kishin luajtur së bashku për një periudhë të shkurtër te FC Metz.
Kur Mane u transferua nga Liverpooli te Bayern Munichu në verën e vitit 2022 për 32 milionë euro, ai mori me vete edhe mikun e tij të ngushtë. Fillimisht, Segbe e shoqëronte yllin senegalez në stërvitje dhe i ndiqte seancat nga ballkoni i qendrës stërvitore të klubit bavarez.
Por shumë shpejt, edhe ai u bë pjesë e Bayern Munichut, duke nënshkruar kontratë me ekipin e dytë të klubit. Një transferim mjaft i pazakontë, i realizuar në një mënyrë që lidhej drejtpërdrejt me dëshirën e Manes për ta pasur mikun pranë vetes.
Derisa Mane nuk arriti të përmbushte pritshmëritë në Gjermani dhe pas vetëm një sezoni u largua drejt Al-Nassr për 30 milionë euro, Segbe vazhdoi të qëndronte në Munich edhe disa javë më gjatë.
Sulmuesi nga Benini regjistroi 12 gola në 28 paraqitje me ekipin e dytë të Bayernit në Regionalliga Bayern, madje në një rast e mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Pas largimit nga Gjermania në shtator të vitit 2023, ai luajti në Belgjikë dhe Poloni, përpara se të rikthehej në futbollin e kategorive të ulëta në Francë.
Në fillim të nëntorit, në moshën 33-vjeçare, Segbe i dha fund karrierës si futbollist te SR Colmar. Megjithatë, vetëm pak ditë më vonë, ai njoftoi një kapitull të ri në karrierën e tij, duke marrë pozitën e drejtorit sportiv te Bourges FC.
Klubi francez aktualisht garon në kategorinë e katërt dhe po lufton për të shmangur rënien në një nivel më të ulët. Në përbërjen e tij ka një numër të konsiderueshëm futbollistësh afrikanë, përfshirë tetë lojtarë nga Senegali dhe një nga Benini, sikurse vetë Segbe./Telegrafi/





