Vedat Muriqi mund të kishte pasur një karrierë krejtësisht tjetër në futbollin evropian, pasi në të kaluarën kishte qenë shumë pranë transferimit te gjiganti francez Paris Saint-Germain.

Prapaskenat e këtij operacioni i ka zbuluar Igli Tare, ish-drejtori sportiv i Lazios, i cili tregoi se sulmuesi i Kombëtares së Kosovës kishte pasur mundësinë të transferohej te PSG, por në fund kishte zgjedhur klubin italian.
Në një deklaratë, Tare foli me vlerësim të madh për Muriqin, duke e cilësuar atë si një qendërsulmues fenomenal për mënyrën se si e interpreton lojën.
“Po flasim për një qendërsulmues fenomenal për mënyrën se si ai e interpreton lojën dhe te Lazio, për arsye të ndryshme, nuk arriti të jepte atë që mund të jepte”, deklaroi Tare.
Më pas, ai zbuloi detaje mjaft interesante nga prapaskenat e transferimit të kosovarit në kryeqytetin italian, duke treguar se në tavolinë kishte qenë edhe një mundësi për të përfunduar në Paris.
“Ai kishte një aeroplan privat që shkonte në Paris për të shkuar te PSG, por e refuzoi për të ardhur te Lazio. Ai gjithashtu refuzoi më shumë se dyfishin e pagës që i ofrohej diku tjetër, vetëm për të ardhur në Itali”, zbuloi ish-drejtuesi i Lazios.
Kështu, sipas rrëfimit të Tares, Muriqi kishte pasur mundësinë të bëhej pjesë e një prej klubeve më të mëdha në Evropë, por kishte zgjedhur projektin e Lazios, pavarësisht ofertave financiarisht shumë më të favorshme nga klube të tjera.
Megjithatë, aventura e tij në Romë nuk shkoi sipas pritshmërive, pasi sulmuesi nuk arriti të tregonte potencialin e tij të plotë./Telegrafi/





