Trajneri portugez Jose Mourinho rikthehet në stadiumin “Olimpico” të Romës, këtë herë si kundërshtar, në një përballje që pritet të sjellë emocione të veçanta për tifozët italianë.
Mourinho, i cili drejtoi Romën për rreth dy vjet e gjysmë, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit, duke fituar Ligën e Konferencës në vitin 2022.

Më 25 maj të atij viti, Roma mposhti Feyenoordin 1-0 në finalen e zhvilluar në Tiranë, duke i dhuruar klubit një trofe të rëndësishëm evropian pas dekadash pritjeje.
Një vit më vonë, portugezi e udhëhoqi skuadrën edhe drejt finales së Ligës së Evropës, ku Roma u mposht nga Sevilla pas penalltive.
Megjithatë, historia e tij në kryeqytetin italian përfundoi në mënyrë të hidhur. Më 16 janar 2024, drejtuesit e Romës vendosën ta shkarkonin pas rezultateve të dobëta dhe tensioneve të vazhdueshme.
Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, Mourinho ka pranuar se largimi nga Roma ia kishte thyer zemrën, duke e përshkruar klubin si një vend që do të mbetet gjithmonë shtëpia e tij.
Tashmë, rikthimi i tij në “Olimpico” pritet të zgjojë kujtime të forta te tifozët, të cilët ende e kujtojnë natën historike të triumfit në Tiranë.
Nga lavdia evropiane te shkarkimi i papritur, Mourinho rikthehet aty ku dikur ishte hero, por këtë herë në stolin kundërshtar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Nga heroi i Romës te largimi i dhimbshëm – Mourinho rikthehet në vendin ku shkroi historinë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali



