Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj deklaratave të politikanit serb Ivica Daçiq, i cili gjatë fushatës elektorale ka deklaruar se flamuri serb do të valojë mbi Prizren.

Përmes një reagimi në platformën X, Hoxha ka kritikuar gjuhën e përdorur nga Daçiq, duke paralajmëruar se deklarata të tilla mund të nxisin veprime të rrezikshme dhe të cenojnë stabilitetin në rajon.
Sipas tij, retorika e tillë nuk mund të trajtohet thjesht si pjesë e fushatës politike, pasi mund të inkurajojë individë të gatshëm të veprojnë në përputhje me të.
Kryediplomati shqiptar ka rikujtuar edhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, duke theksuar se përgjegjësia e plotë për atë ngjarje ende nuk është vendosur.
Ai ka paralajmëruar se rasti i Banjskës dëshmon rrezikun që paraqitet kur deklaratat kërcënuese shndërrohen në veprime konkrete.
Hoxha ka theksuar se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimit rajonal dhe pajtimit, por ka shtuar se këto synime nuk mund të realizohen përmes mohimit të realiteteve politike dhe retorikës kërcënuese.
“Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik”, ka deklaruar Hoxha.
Ai ka theksuar se Kosova është pjesë e barabartë e rajonit dhe se e ardhmja e saj duhet të ndërtohet mbi paqen, sigurinë, gjithëpërfshirjen dhe integrimin evropian.
Në fund, ministri shqiptar ka ritheksuar mbështetjen e pakushtëzuar të Shqipërisë për Kosovën.
“Shqipëria ka qëndruar përkrah Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë në çdo mënyrë të mundshme”, ka deklaruar Hoxha.
Reagimi vjen pas deklaratave të Daçiqit gjatë fushatës elektorale, të cilat kanë rikthyer në vëmendje tensionet politike dhe retorikën nacionaliste në rajon.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post “Flamuri serb do të valojë në Prizren” – Shqipëria i përgjigjet ashpër Daçiqit: Kosova është realitet i pakthyeshëm appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




