Rrjetet kriminale shqiptare kanë shënuar një zgjerim të frikshëm të pranisë së tyre në Amerikën Latine gjatë më shumë se një dekade, duke e shndërruar këtë rajon në bazën kyçe të furnizimit me kokainë për tregjet e Evropës, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas një analize të publikuar nga “Diálogo Américas”, grupet kriminale shqiptare kanë ndërtuar një model operimi krejtësisht të veçantë, ndryshe nga kartelet e mëdha meksikane. Në vend të kontrollit të territoreve me dhunë masive dhe ushtrive të anëtarëve, këto organizata veprojnë përmes rrjeteve fleksibël dhe aleancave strategjike me grupet lokale.
Drejtuesja e Observatorit për Ekonomitë e Paligjshme në Evropën Juglindore pranë “Global Initiative Against Transnational Organized Crime” (GI-TOC), Fatjona Mejdini, shpjegon se për shkak të popullsisë së vogël të Shqipërisë, këto grupe nuk dërgojnë shumë njerëz në Amerikën Latine, por mjaftohen me një numër të kufizuar koordinatorësh që menaxhojnë lidhjet me grupet vendase në çdo hallkë të zinxhirit të trafikut.
Aleancat me kartelet e Brazilit, Perusë dhe Meksikës
Përveç Ekuadorit që mbetet nyja kryesore e nisjes së ngarkesave drejt Evropës, ndikimi shqiptar shtrihet drejtpërdrejt te kultivuesit e kokës në Peru, prodhuesit në Kolumbi, si dhe te organizatat e fuqishme braziliane si Primeiro Comando da Capital (PCC) dhe Comando Vermelho (CV). Po ashtu, janë zbuluar lidhje të forta me rrjete meksikane që merren me pastrimin e parave të drogës.
Operacioni “Bremen” dhe tonelatat e sekuestruara
Shtrirja e këtyre grupeve është dëshmuar edhe në operacionet e fundit policore:
Më 14 shtator, në Portin e Durrësit u sekuestruan 41.35 kilogramë kokainë të ardhura nga Brazili;
Më 12 mars 2026, pas një hetimi 20-mujor, u finalizua operacioni i koduar “Bremen”, i cili çoi në 26 arrestime dhe sekuestrimin e 2.5 tonëve kokainë. Hetimet zbuluan lidhjen e krimit shqiptar me grupin ekuadorian “Los Lagartos”, të cilët e fshihnin drogën në ngarkesa me banane, kafe dhe kakao të destinuara për tregjet evropiane.
Sanksionet e SHBA-së ndaj grupit shqiptar “Hysa”
Aktiviteti i këtyre rrjeteve nuk kufizohet vetëm në transport, por edhe në pastrimin e parave. Në nëntor të vitit 2025, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj organizatës kriminale shqiptare Hysa Organized Crime Group (HOCG), e njohur edhe si grupi ISA, e cila operonte në Meksikë duke përdorur kazino dhe restorante si mbulesë për pastrimin e milionave të narkotikëve.
Analiza përfundon me thirrjen për forcimin e bashkëpunimit mes autoriteteve të Amerikës Latine dhe vendeve të Ballkanit përmes ekipeve të përbashkëta hetimore (JIT), për të goditur këto aleanca që lidhin burimet e prodhimit të kokainës me tregjet evropiane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





