Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj këngëtares së njohur shqiptare, Xhensila Myrtezaj, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të pastrimit të parave, në një vlerë prej afro 6 milionë lekësh të reja (rreth 62 mijë euro).

Pas raportimeve të publikuara ditët e fundit lidhur me këtë çështje, këngëtarja ka reaguar publikisht përmes një deklarate të gjatë, duke mohuar kategorikisht fshehjen apo mosdeklarimin e të ardhurave.
Ajo pretendon se të gjitha të ardhurat e saj janë të ligjshme, burojnë nga aktiviteti artistik shumëvjeçar dhe janë faturuar përmes subjektit të saj tatimor në sistemin e administratës tatimore shqiptare.
Myrtezaj ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si është pasqyruar çështja në disa media, duke paralajmëruar veprime ligjore ndaj kujtdo që, sipas saj, publikon informacione të pavërteta që cenojnë emrin dhe imazhin e saj.
Në deklaratën e bërë publike, këngëtarja ka theksuar se akuzat e ngritura nuk përbëjnë vendim gjykate dhe se ajo gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.
“Unë nuk kam fshehur asnjë të ardhur. Të ardhurat e mia janë të ligjshme dhe vijnë nga veprimtaria artistike që ushtroj prej shumë vitesh. Ato janë faturuar përmes subjektit tim tatimor dhe janë lehtësisht të gjurmueshme në sistemin bankar”, ka deklaruar ajo.
Këngëtarja ka bërë të ditur se, së bashku me studion ligjore që e përfaqëson, do të paraqesë dokumentacionin dhe provat për të dëshmuar ligjshmërinë e të ardhurave të saj, duke kundërshtuar pretendimet e ngritura.
Ajo ka reaguar edhe ndaj raportimeve për pasuri të fshehura apo blerje pronash me burime të pajustifikuara, duke i cilësuar këto informacione si të pasakta dhe që nuk pasqyrojnë realitetin.
“Akuzat që ngrihen nuk kanë të bëjnë me pasuri të krijuara prej meje. Shkrimet për ‘fshehje pasurie’ apo për ‘blerje pronash me burime të pajustifikuara’ janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë realitetin”, ka theksuar Myrtezaj.
Foto: Xhensila Myrtezaj/InstaStory
Në vijim, ajo ka thënë se ka bashkëpunuar plotësisht me organet tatimore dhe ato të drejtësisë, duke shtuar se do të vazhdojë të vërë në dispozicion çdo dokument që kërkohet për zbardhjen e plotë të çështjes.
Në fund të deklaratës, Xhensila ka kërkuar nga mediat që të mos përdorin emrin dhe fotografinë e saj në tituj që, sipas saj, paraqesin si fakte akuza ende të paprovuara.
“Akuzat që ngrihen nuk janë vendime gjykate. Unë prezumohem e pafajshme derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë. Nuk do të bëj më komente publike. Përgjigjen time do t’ua jap organeve të drejtësisë, ku do të paraqes provat se çdo e ardhur e imja është e ligjshme dhe e deklaruar sipas ligjit”, ka përfunduar këngëtarja.
Ndërkohë, çështja mbetet nën hetimin e Prokurorisë së Tiranës dhe deri më tani nuk ka një vendim gjyqësor që përcakton përgjegjësinë penale të këngëtares. /Telegrafi/
Foto: Xhensila Myrtezaj/InstaStory





