Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ka ndarë Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, Medaljen “Shërbim i Shquar”, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës së Kosovës.

Ndarja e medaljes është bërë sot, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Forcës, ndërsa lajmin e ka bërë të ditur vetë Maqedonci përmes një postimi.
Ai ka vlerësuar shërbimin e Jasharit dhe përkushtimin e tij ndër vite, duke rikujtuar edhe rrugëtimin e tij që nga lufta e vitit 1998 në Prekaz, ku ishte ndër të mbijetuarit e familjes Jashari dhe luftoi përkrah Adem dhe Hamëz Jasharit.
Pas përfundimit të luftës, Jashari vazhdoi karrierën ushtarake në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, fillimisht si zëvendëskomandant e më pas si komandant i Zonës së Parë Mbrojtëse.
Me themelimin e FSK-së, ai shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm, ndërsa në nëntor të vitit 2021 u emërua komandant i kësaj force.
Maqedonci ka theksuar se gjatë pesë viteve në krye të FSK-së, Jashari udhëhoqi procese të rëndësishme për transformimin dhe fuqizimin e saj, ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe thellimin e bashkëpunimit me vendet aleate, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fund, ministri e ka falënderuar Jasharin për bashkëpunimin dhe shërbimin e tij ndaj Republikës së Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





