Gazmend Elezaj nga Morina e Gjakovës, invalid i luftës së UÇK-së, ende i ruan të freskëta kujtimet nga beteja e 7 korrikut në Morinë, ditën kur humbi 8 bashkëluftëtarë të tij.
“Sikur sot po më kujtohet, atë ditë prej orës këtër të mëngjesit deri në pesë të mbrëmjes lufta nuk është ndalur. Kanë qenë me tanke, me këmbësori me të gjitha edhe i kemi kthye mbrapa. Në këtë betejë deri në 5 metra në afërsi kemi luftuar në vijën e frontit prej 5-ve deri në ora katër, as bukë nuk kemi pasur me ngrënë”, tha Gazmend Elezaj, invalid i luftës së UÇK-së.

Në shenjë respekti e nderimi për sakrificën dhe rënien tyre, Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale të Kosovës, pikërisht në vend-rënien e tyre ka vendosur “Gurët e kujtesës”.
“Është një ndjenjë e veçantë t’i vendosim këta gur në vendin ku kanë ra këta dëshmorë. Këtu ku gjindemi në Morinë të Gjakovës është brez kufitar ku janë zhvilluar beteja të ashpra, ndërsa ne kemi arritur që tri vendosim këta gur, të paktën për brezat e ri që mos t’i harrojmë se në cilat vende kanë luftuar, ku kanë ra dhe çka ka ndodhur në këto vende”, thotë Avdyl Zeneli nga OVL Gjakovë.
“Sot po e ndjej vetën krenar, ndonëse me emocione, pasi që po shënohet kjo ditë, në vendin ku ata ranë në betejë ballë për ballë me armikun e ku rezistuan deri në momentin e fundit”, tha Smajl Avdyli, familjar dhe bashkëluftëtar.
“Është krenari për ne, prandaj i falënderoj të gjithë ata organizatorë që e kanë projektu një projekt të tillë dhe kanë bërë mundin që historia mos të mbetet në harresë po të vendosën gurthemelet e historisë në vendin ku ata e lanë me gjak”, tha Sadri Abdyli, ish-komandant i SHL në Morinë.
Gurët e kujtesës do të vendosen edhe për dëshmorët Muhamet Ukshini, Shkëlzen Syla dhe Ahmet Pulatani, kanë bërë të ditur zyrtarë nga Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale të Kosovës.
Burimi: RTKLive




