Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pritet të përballet me një nga vendimet e para me peshë institucionale menjëherë pas marrjes së detyrës: plotësimin e ulëses së mbetur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo çështje ka mbetur pezull edhe gjatë mandateve të ish-presidentëve Vjosa Osmani dhe Albulena Haxhiu, ndërsa tani vendimi i takon shefes së re të shtetit.
Bëhet fjalë për anëtarin e fundit të paemëruar të KQZ-së, një pozitë për të cilën interesim kanë shfaqur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – dy subjektet politike që mbështetën zgjedhjen e Shiroka-Pulës në postin e presidentes.
Çështja merr rëndësi të veçantë për shkak të mënyrës se si Kushtetuta e përcakton përfaqësimin në KQZ. Përbërja e këtij institucioni lidhet drejtpërdrejt me subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, ndërsa vendimi për ulësen e mbetur pritet të shihet edhe në kontekstin e raporteve politike.
Kështu, një nga pyetjet kryesore që do ta shoqërojë këtë proces është se kujt do t’ia japë presidentja e re këtë ulëse: PDK-së apo LVV-së?
Vendimi i Shiroka-Pulës mund të jetë edhe një prej testeve të para të mandatit të saj, pasi mënyra se si do të bëhet emërimi pritet të japë sinjale për raportin e saj me partitë politike dhe institucionet e vendit.
KQZ-ja nuk është një institucion me rol thjesht formal. Ajo është përgjegjëse për administrimin e proceseve zgjedhore, ndaj mënyra e plotësimit të përbërjes së saj mund të ndikojë edhe në perceptimin për paanshmërinë dhe besueshmërinë e këtij institucioni.
Çfarë përcakton Kushtetuta?
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, në Kuvend kanë hyrë katër subjekte politike shqiptare: LVV, PDK, LDK dhe AAK.
LVV-ja, e cila mori mbi 47.13 për qind të votave, ka kërkuar që përfaqësimi në KQZ të reflektojë peshën e saj në Kuvend, duke pretenduar edhe ulëse shtesë në mesin e vendeve që u takojnë subjekteve politike shqiptare.
Kushtetuta përcakton se gjashtë ulëse në KQZ u takojnë gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare, ndërsa katër ulëse të tjera janë të rezervuara për komunitetet.
“Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara”, thuhet në paragrafin 6 të nenit 139.
Meqë pas zgjedhjeve të 7 qershorit janë vetëm katër grupe parlamentare nga subjektet shqiptare, secila prej tyre duhet të marrë nga një ulëse në KQZ. Dy vendet e mbetura përcaktohen përmes mekanizmit të emërimit të anëtarëve shtesë.
Edhe për këtë situatë Kushtetuta parasheh zgjidhje.
“Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në vazhdim të të njëjtit paragraf.
Në rrethanat aktuale, kjo nënkupton se katër ulëset e para u takojnë LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ndërsa dy vendet e mbetura duhet të plotësohen përmes këtij mekanizmi nga grupet më të mëdha parlamentare, në këtë rast LVV-ja dhe PDK-ja.
Pikërisht këtu qëndron edhe çështja që pritet të jetë ndër vendimet e para të presidentes së re: përcaktimi i anëtarit të fundit të KQZ-së dhe mënyra se si do të zgjidhet kjo çështje institucionale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Në dorë të presidentes së re ulësja e fundit e KQZ-së – Kujt do t’ia emërojë anëtarin, VV-së apo PDK-së? appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali



