Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndaluar për kontroll një autobus që udhëtonte nga Turqia drejt Kosovës, gjatë kontrolleve rutinore në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.

Gjatë kontrollit të bagazhit dhe hapësirave të brendshme të autobusit, doganierët kanë zbuluar mallra të padeklaruara të vendosura në korridorin e autobusit.
Sipas njoftimit të Doganës, për mallrat e zbuluara janë konstatuar edhe shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale, raporton Klankosova.tv
Para kontrollit, udhëtarët dhe shoferi janë pyetur nëse kishin mallra apo mjete monetare për të deklaruar, por ata nuk kanë deklaruar asgjë pranë autoriteteve doganore.
“Mallrat e zbuluara janë ndaluar, ndërsa rasti do të trajtohet në përputhje me procedurat administrative dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv





