Aktori dhe regjisori shqiptar, Gjergj Mena, është ndarë nga jeta ndërsa lajmi është bërë i ditur nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë përmes një postimi në Facebook.

Në mesazhin e publikuar, institucioni ka shprehur dhimbjen për humbjen e artistit, të cilin e kujton si mik, koleg dhe bashkëpunëtor të dashur.
Mena ishte pjesë e familjes së Teatrit Kombëtar, ku kontribuoi si aktor në disa prej shfaqjeve teatrale.
Krahas angazhimit në skenë, ai kishte mbajtur edhe pozitën e Drejtorit Artistik të TK RIN ART.
Teatri Kombëtar ka theksuar se me të kanë ndarë skenën, projekte të ndryshme, ide dhe dashurinë për artin e teatrit, duke vlerësuar kontributin e tij në jetën artistike të institucionit.
“Do të na mungojë si artist, si koleg dhe si mik. Kujtimi i tij dhe gjurma që la në skenën tonë do të mbeten gjithmonë me ne”, thuhet në mesazhin e tyre.
Në fund të reagimit, Teatri Kombëtar ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe komunitetin artistik, duke e përcjellë me fjalët: “Lamtumirë, Gjergj! Do të na mungosh”. /Telegrafi/




