Raketat që ranë të premten (20.11.) në territorin e Polonisë ishin sot temë e diskutimeve në takimin e NATO-s në Berlin. Kancelari gjerman Friedrich Merz i kërkoi Rusisë të ndalojë menjëherë “provokimet e rrezikshme”. Nëse do të jetë e nevojshme NATO do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të saj, paralajmëroi ai, duke shprehur solidaritet të plotë me Poloninë.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u shpreh për incidentin. Ai tha se është krejtësisht e qartë që incidenti ishte shkaktuar nga Rusia .

Rusia kreu të premten sërish sulme ajrore ndaj perëndimit të Ukrainës. Gjatë këtyre sulmeve tri objekte fluturuese hynë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe u rrëzuan në juglindje të vendit. Të plagosur nuk pati. Sipas Prokurorisë polake në Lublin bëhej fjalë për raketa ruse të tipit CH-101. Nga Rusia nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar lidhur me këtë incident.
Wadephul: Do të mbrojmë çdo centimetër
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, theksoi në takimin e zhvilluar në Berlin gatishmërinë e NATO-s për t’u mbrojtur. “Ne do ta mbrojmë me vendosmëri çdo centimetër të territorit të NATO-s”, deklaroi ai, duke iu drejtuar njëkohësisht Vladimir Putinit me fjalët: “Mos gaboni. Ne jemi një aleancë mbrojtëse, por jemi të gatshëm të mbrojmë veten, vendet tona dhe aleancën tonë.”
Në takimin vjetor triditor në Berlin morën pjesë rreth 280 parlamentarë nga 32 shtetet anëtare të NATO-s, si edhe deputetë nga vendet kandidate për anëtarësim, vendet partnere dhe Parlamenti Evropian. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, iu bashkua takimit përmes një lidhjeje me video nga Kievi. Ai përsëriti edhe një herë thirrjen për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Sipas tij pranimi i Ukrainës në NATO do të ishte për sigurinë e Evropës një zgjidhje më e mirë, sesa garancitë e sigurisë që vetëm i ngjajnë klauzolës së mbrojtjes kolektive të parashikuar në nenin 5 të Traktatit të NATO-s. Neni 5 përcakton se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleatëve dhe se ata janë të detyruar t’i ofrojnë ndihmë shtetit të sulmuar.
Burimi: RTKLive





