Musmurati u kërkon deputetëve të Prishtinës të angazhohen për marrëveshjen 74 milionë euroshe me KfW-në për mbeturinat

Musmurati u kërkon deputetëve të Prishtinës të angazhohen për marrëveshjen 74 milionë euroshe me KfW-në për mbeturinat

Musmurati u kërkon deputetëve të Prishtinës të angazhohen për marrëveshjen 74 milionë euroshe me KfW-në për mbeturinat

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, u është drejtuar deputetëve të Prishtinës me kërkesë që, përmes mekanizmave parlamentarë, të kërkojnë sqarime nga Ministria e Financave për mosnënshkrimin e marrëveshjes me bankën gjermane për zhvillim KfW për projektin e menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.

Sponsor 3M Express

Në letrën drejtuar deputetëve, Musmurati ka thënë se projekti parasheh investime në vlerë të përgjithshme prej 74.1 milionë eurosh dhe se synon të përmirësojë kapacitetet për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave, çështje që, sipas saj, prek drejtpërdrejt rreth 450 mijë qytetarë të këtij rajoni, raporton Telegrafi.

Ajo ka bërë të ditur se procesi për përgatitjen e projektit ka nisur në vitin 2023, në bashkëpunim ndërmjet Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, Ministrisë së Financave, Komunës së Prishtinës dhe KfW-së.

Sipas Musmuratit, faza e parë e projektit kap vlerën prej 24.1 milionë eurosh, prej të cilave 4.1 milionë euro janë grant dhe 20 milionë euro kredi e butë. Kjo fazë përfshin blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve dhe modernizimin e shërbimit të pastrimit.

Ndërkaq, faza e dytë parasheh investime prej rreth 50 milionë eurosh për ndërtimin e një qendre për riciklimin dhe kompostimin e mbeturinave, si dhe zgjerimin e mëtejmë të kapaciteteve.

Në letër thuhet se projekti është trajtuar në negociatat ndërqeveritare Kosovë-Gjermani në prill të vitit 2024, ndërsa më 18 dhjetor të po atij viti, Qeveria e Kosovës e kishte miratuar në parim nismën për lidhjen e marrëveshjes së kredisë, duke obliguar Ministrinë e Financave të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë.

Megjithatë, sipas Musmuratit, marrëveshja e grantit dhe e kredisë ende nuk është nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Pas takimeve me KfW-në, jemi njoftuar që ministri Murati po refuzon ta fillojë projektin që e zgjidhë çështjen e menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë”, ka shkruar ajo.

Musmurati ka bërë të ditur se më 15 maj 2026, Komuna e Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfW-ja i janë drejtuar bashkërisht ministrit Murati, duke kërkuar përshpejtimin e procedurave dhe finalizimin e marrëveshjes, por sipas saj, deri më tani nuk është arritur nënshkrimi i saj.

Për këtë arsye, ajo u ka kërkuar deputetëve që të kërkojnë nga Ministria e Financave sqarime zyrtare për statusin e marrëveshjes dhe arsyet e mosnënshkrimit.

“Kjo çështje nuk duhet të trajtohet si përplasje ndërmjet institucioneve apo partive politike. Është çështje e shërbimeve publike, e mjedisit dhe e cilësisë së jetës së qytetarëve”, ka theksuar Musmurati.

Ajo ka kërkuar nga deputetët e Prishtinës që të angazhohen për tejkalimin e, siç i ka quajtur, inateve politike dhe për mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

“Prishtina ka nevojë për zgjidhje konkrete, ndërsa qytetarët kanë të drejtë të dinë pse një projekt kaq i rëndësishëm vazhdon të mbetet pa marrëveshje përfundimtare të financimit”, ka shkruar nënkryetarja e Kryeqytetit.

Musmurati ka kërkuar gjithashtu që deputetët ta njoftojnë për hapat që mund të ndërmarrin në kuadër të kompetencave të tyre parlamentare. /Telegrafi/

Lexo edhe

E qëlloi me armë disa herë – një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e rëndë në një parking në Suharekë

E qëlloi me armë disa herë – një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e rëndë në një parking në Suharekë

GTA 6 thyen rekordet që në ditën e parë, 2.36 miliardë dollarë të ardhura dhe 24.5 milionë kopje të shitura

GTA 6 thyen rekordet që në ditën e parë, 2.36 miliardë dollarë të ardhura dhe 24.5 milionë kopje të shitura

Kërkohet që Kurti dhe Murati të dëshmojnë në Komisionin për rastin e Arlinda Zekajt

Kërkohet që Kurti dhe Murati të dëshmojnë në Komisionin për rastin e Arlinda Zekajt

Musmurati u kërkon deputetëve të Prishtinës të angazhohen për marrëveshjen 74 milionë euroshe me KfW-në për mbeturinat | Momenti