Ish-eprori i Policisë së Kosovës, Refki Morina, ka vlerësuar se mungesa e uniformave dhe pajisjeve policore ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin dhe operacionalitetin e forcave të rendit.

Ai ka theksuar se përgjegjësia për këtë neglizhencë duhet të kërkohet te zyrtarët e prokurimit dhe ata që merren me këtë fushë.
Morina ka thënë se uniformat dhe pajisjet teknike e teknologjike janë elemente bazike për punën e policisë dhe se furnizimi me to duhet të planifikohet me kohë.
“Çështja e uniformës dhe çështja e pajisjeve policore është çështje bazike, operative, ku edhe kadetëve që diplomojnë, por edhe zyrtarëve policorë, është më se e nevojshme. Prandaj ndërrimi i uniformës me kohë, në kohën e caktuar, si e dimrit, ashtu edhe e verës, si edhe pajisjet e tjera teknike, teknologjike, të cilat duhet t’i ketë policia me vete, ndikon në operacionalitetin më të shpejtë, efikasitetin e policisë dhe në mënyrë të caktuar në përmbushjen e obligimeve konform Ligjit për Policinë”, tha ai.
Ai ka theksuar se procedurat e prokurimit duhet të nisin para skadimit të afatit të përdorimit të uniformave dhe pajisjeve, në mënyrë që furnizimi të bëhet në kohën e duhur.
“Unë e mendoj se duhet të mendohet paraprakisht, para se të skadojë afati i uniformave dhe i pajisjeve teknike e të tjera, kështu që prokurimi të bëhet, kërkesa për prokurim të bëhet më herët, në mënyrë që në kohën e caktuar të pajisen policët me uniforma, po edhe kadetët”, tha Morina.
Sipas tij, përgjegjësia për këtë situatë duhet të kërkohet te zyrtarët që janë të angazhuar në proceset e prokurimit dhe furnizimit.
“Kjo neglizhencë, unë e mendoj, duhet të jetë përgjegjësi e zyrtarëve të prokurimit, edhe zyrtarëve të cilët merren me këtë lëmi. Prandaj, unë e mendoj se ata duhet të kenë përgjegjësi në lidhje me këtë, për arsye se uniformat nuk duhet t’u mungojnë zyrtarëve policorë, po as kadetëve të cilët diplomojnë, po as pajisjet teknike, teknologjike, të cilat i kanë dhe të cilat janë bazë kryesore për kryerjen e punëve patrulluese, operative, po edhe punëve të tjera, konform Ligjit për Policinë”, tha ai.
Ditëve të fundit është raportuar në media për mungesë të uniformave për zyrtarët policorë, si dhe për shtyrjen e ceremonisë së diplomimit të kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës, për shkak të mungesës së uniformave. /EO




