Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se është lansuar Rrjeti për Siguri në Komunitet, një nismë që synon forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe mekanizmave lokalë të sigurisë.
Sipas njoftimit të MPB-së, rrjeti është lansuar në një ceremoni të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, ku morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Viktor Buzhala, shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Gerard McGurk, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Janković, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Gjatë ceremonisë, Buzhala theksoi përkushtimin e Qeverisë për adresimin e shqetësimeve që lidhen me sigurinë në bashkësi, duke veçuar sigurinë në shkolla, dhunën në familje, posedimin e paligjshëm të armëve, dukuritë që lidhen me substancat narkotike dhe sigurinë në komunikacion.
Ai tha se identifikimi i problemeve duhet të përcillet me veprime konkrete institucionale, ndërsa vlerësoi se rrjeti i ri krijon mundësi shtesë për bashkëpunim, shkëmbim të praktikave të mira dhe bashkërendim të aktiviteteve.
Sipas MPB-së, rrjeti do të shërbejë si platformë për bashkëpunim ndërmjet Policisë së Kosovës, Këshillave Komunalë për Siguri në Bashkësi, Komiteteve Lokale për Siguri Publike dhe akterëve të tjerë relevantë.
Nisma synon gjithashtu të rrisë pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e sigurisë, me theks të veçantë te gratë dhe të rinjtë.
Burimi: RTKLive





