Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, së bashku me shefen e kabinetit, Anyla Beqa, pritën në takim drejtorin menaxhues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Evropën Juglindore, Grzegorz Zielinski, i shoqëruar nga delegacioni i BERZH-it.
Kjo ishte vizita e parë e Z. Zielinski në Kosovë që nga emërimi i tij në këtë pozitë më 1 qershor 2026. Takimi shërbeu si një mundësi e rëndësishme për të diskutuar prioritetet e sektorit të energjisë dhe mënyrat se si BERZH-i mund të vazhdojë të mbështesë Kosovën në shndërrimin e këtyre prioriteteve në projekte konkrete.

Gjatë takimit u vlerësua partneriteti i deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, si dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në projekte kyçe të tranzicionit energjetik.
BERZH-i vlerësoi punën e deritanishme në avancimin e integrimit të burimeve të ripërtërishme në sistemin energjetik dhe shprehu interesim për të mbështetur projektet që lidhen me hartimin dhe zbatimin e ankandeve për energjinë e ripërtërishme, me qëllim rritjen e kapaciteteve vendore të energjisë së pastër dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Palët diskutuan gjithashtu për zbatimin e projekteve të efiçiencës së energjisë dhe zgjerimin e mundësive të financimit për qytetarët dhe bizneset përmes linjave kreditore të ofruara në bashkëpunim me institucionet financiare vendore. Në këtë kontekst, u diskutua edhe mbështetja për programe të financimit të gjelbër, që lehtësojnë investimet në teknologji të pastra dhe masa të efiçiencës së energjisë.
Zëvendësministri Mjeku falënderoi BERZH-in për mbështetjen ndaj sektorit të energjisë të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare në përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër, rritjen e efiçiencës së energjisë dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në realizimin e projekteve strategjike, që mbështesin objektivat e Kosovës për një sektor të energjisë më të qëndrueshëm, më konkurrues dhe më të integruar me tregjet evropiane.
Burimi: RTKLive




