Ushtria amerikane dyshohet se ka lëshuar predha drejt ishullit Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, gjatë mbrëmjes së sotme, raportojnë mediat shtetërore iraniane.

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA kishte njoftuar më herët për katër shpërthime në këtë ishull, ndërsa nuk janë dhënë detaje të mëtejshme lidhur me objektivat e goditura apo dëmet e mundshme.
Ishulli Qeshm ndodhet në Gjirin Persik, në afërsi të Ngushticës së Hormuzit. Ai është ishulli më i madh në këtë gji dhe ndahet nga pjesa kontinentale e Iranit përmes Ngushticës së Clarence.
Ky nuk është rasti i parë i raportuar për sulme amerikane në këtë zonë gjatë ditëve të fundit, transmeton Telegrafi.
Të premten, presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se SHBA-ja kishte kryer “goditje të vogla” ndaj Iranit, në kohën kur mediat raportonin se dy raketa kishin goditur ishullin Qeshm.
“[Iranianët] ndërtuan një pajisje të vogël kundërajrore dhe ne e shkatërruam për rreth 15 minuta, ndoshta edhe për pesë minuta”, deklaroi Trump.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim të pavarur për raportimet e fundit mbi lëshimin e predhave drejt ishullit, ndërsa mbetet e paqartë nëse sulmi ka shkaktuar dëme apo viktima. /Telegrafi/




