Me afrimin e dimrit dhe intensifikimin e sulmeve ruse, banorët e Kievit kërkojnë strehim diku tjetër

Me afrimin e dimrit dhe intensifikimin e sulmeve ruse, banorët e Kievit kërkojnë strehim diku tjetër

Me afrimin e dimrit dhe intensifikimin e sulmeve ruse, banorët e Kievit kërkojnë strehim diku tjetër

Ndërsa sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase po intensifikohen dhe temperaturat e vjeshtës paralajmërojnë një tjetër dimër të vështirë, banorët e Kievit po përballen me një zgjedhje të vështirë: si t’u bëjnë ballë sulmeve me dronë e raketa dhe të ftohtit të ashpër.

Sponsor 3M Express

“Dimri i kaluar në Kiev ishte shumë i vështirë”, thotë Mariia Shostak, nënë e dy fëmijëve, e cila tashmë po bën gati valixhet për t’u larguar nga banesa e saj e vogël, transmeton Telegrafi.

Temperaturat për periudha të gjata nën zero dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike, të shkaktuara nga sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike, e bënë dimrin e kaluar një nga më të vështirët që nga fillimi i luftës.

“Ka pasur ditë dhe javë që ishin të padurueshme. Fillova të mendoja se nuk mund ta përjetoja edhe një dimër tjetër kështu”, tregon ajo.

Mariia nuk po pret as ardhjen e dimrit. Sulmet e fundit ruse ndaj kryeqytetit e kanë shtyrë të marrë vendimin për t’u larguar.

Gjendja, sipas saj, ndryshoi në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit, kur Kievi nisi të sulmohej pothuajse gjatë gjithë kohës. Më parë, dronët dhe raketat përgjoheshin në periferi, ndërsa tani shpërthimet po ndodhin në qendër të qytetit, drejtpërdrejt mbi kokat e banorëve.

Pas disa javësh sulmesh në rritje, që deri në fund të shtatorit kishin përfshirë pika karburanti, centrale elektrike dhe ura të rëndësishme mbi lumin Dnipro, kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, e përshkroi situatën si “shumë dramatike”. Sipas tij, sulmet po e shkatërrojnë qytetin.

Fëmijët e Mariias, Arturi katërvjeçar dhe Kira dyvjeçare, kanë lindur të dy pas nisjes së pushtimit të plotë rus në vitin 2022. Për të mos i ekspozuar ndaj një tjetër dimri të rrezikshëm dhe të vështirë, ajo planifikon t’i marrë me vete në Hurghada, në bregdetin egjiptian të Detit të Kuq. Ky destinacion është më i lirë se shumë vende evropiane dhe ka klimë më të ngrohtë.

“Nuk ndihem aspak e sigurt në Ukrainë”, thotë Mariia.

Sondazhet tregojnë se shumë ukrainas po mendojnë në mënyrë të ngjashme, edhe pse jo të gjithë kanë vendosur të largohen. Një anketë e kompanisë kërkimore Gradus, e realizuar në shtator, zbuloi se 40 për qind e ukrainasve po shqyrtonin mundësinë e zhvendosjes nëse kushtet e jetesës vazhdonin të përkeqësoheshin. Ndërkohë, 35 për qind thanë se nuk do të largoheshin, ndërsa 25 për qind nuk kishin vendosur ende.

“ njerëzit po mendojnë për një kombinim faktorësh stresues”, tha Evgeniya Blyznyuk, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Gradus. Sipas saj, shqetësimi nuk lidhet vetëm me energjinë elektrike dhe ndërprerjet e saj, por edhe me sulmet ndaj qendrave të mëdha logjistike, që shtojnë frikën për furnizimin me produkte dhe ushqime gjatë dimrit.

Sulmet e fundit ndaj urave, pikave të karburantit dhe shkollave në Kiev e kanë shtuar ndjenjën e pasigurisë. Për familjet me fëmijë të vegjël, situata është veçanërisht shqetësuese.

Iryna, e cila kërkoi të mos publikohej mbiemri i saj, thotë se vajza e saj trevjeçare, Polina, e pati shumë të vështirë dimrin e kaluar. Familja kaloi javë pa ngrohje, ndërsa temperatura brenda banesës zbriste në zero ose pesë gradë Celsius.

“Të qëndroje aty me një fëmijë të vogël, që sëmurej vazhdimisht, nuk ishte aspak mirë”, tregon ajo.

Përvojat e fundit e kanë përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e vajzës. Familja është përballur me dy sulme raketore këtë vit. Shpërthimi i parë, në fillim të qershorit, ua theu disa dritare në banesën e tyre në pjesën veriperëndimore të Kievit. Një muaj më vonë, pasi disa dëme ishin riparuar, një tjetër shpërthim pranë ndërtesës dhjetëkatëshe hodhi dhe e mbeturina drejt banesës, duke i detyruar të zhvendoseshin përkohësisht.

Shëndeti i Polinës është përkeqësuar. Ajo vuan nga ankthi i rëndë, i cili shoqërohet me episode të mosmbajtjes së urinës, të vjella dhe dridhje të pakontrollueshme.

“ Tani kemi edhe një problem neurologjik me të dhe kjo është arsyeja pse po mendojmë të largohemi. Pas çdo bombardimi shfaqen simptoma të reja”, thotë Iryna.

Bashkëshorti i saj shërben në ushtri, ndërsa ajo ende nuk ka vendosur se ku do të shkojë. Puna në një organizatë joqeveritare ndërkombëtare mund t’i mundësojë të punojë nga distanca në Poloni.

“Presidenti ynë thotë se është më mirë të largohemi nga Kievi, sepse ky është objektivi numër një”, shprehet ajo.

Për disa banorë të tjerë, zgjidhja gjendet më afër, në hapësirat rurale të Ukrainës. Olena Konoplia kaloi disa javë duke kërkuar një vend të përshtatshëm, para se të vendoste të zhvendosej në një shtëpi fshati, rreth dy orë larg kryeqytetit.

“Vendosa se alternativa më e mirë do të ishte një fshat i vogël, pa fabrika, magazina apo stacione hekurudhore. Gjithçka që mund të bëhet objektiv i rusëve”, shpjegon ajo.

Gjatë vizitës, Olena po transportonte furnizime në shtëpinë e re dhe mbikëqyrte vendosjen e një dere të re. Sipas traditës ukrainase, një prift kishte ardhur tashmë për ta bekuar banesën.

Shtëpia ka ngrohëse me gaz, ndërsa në një hambar pranë saj është grumbulluar dru zjarri për t’i bërë ballë ndërprerjeve të mundshme të energjisë. Olena ka instaluar edhe internet me shpejtësi të lartë, të domosdoshëm për punën e saj në një fondacion bamirësie me seli në Kiev.

Në një kohë kur sirenat e alarmit ajror dëgjohen vazhdimisht në kryeqytet dhe shpërthimet janë bërë pjesë e përditshmërisë, qetësia e fshatit është ajo që i nevojitet më shumë.

“Pas disa netësh këtu, kur mund të fle pa shpërthime dhe pa sirena, ndihem më mirë. Mund të punoj, të shkruaj artikujt e mi dhe ndihem mirë”, thotë ajo.

Së shpejti, me Olenën do të bashkohet edhe nëna e saj e moshuar, e cila jeton në një lagje të rrezikshme të Kievit dhe për të cilën kjo situatë përbën rrezik për shëndetin.

Megjithatë, jo të gjithë kanë mundësi të marrin me qira ose të blejnë një shtëpi në fshat, apo të kalojnë disa muaj jashtë vendit. Shumica e banorëve të Kievit do të përpiqen ta përballojnë edhe një dimër tjetër në kryeqytet, ashtu siç kanë bërë më parë.

Autoritetet po marrin masa për t’i ndihmuar. Disa nga banorët më të cenueshëm, përfshirë të moshuarit dhe gratë me fëmijë të vegjël, po pajisen me mundësi strehimi në sanatoriume dhe qendra rehabilitimi të përshtatura në zonat e pyllëzuara në periferi të qytetit.

Ndërkohë, gjatë 18 muajve të fundit, rreth 15 centrale të vogla elektrike janë ndërtuar në pjesë të ndryshme të Kievit, me synimin për të forcuar rrjetin energjetik të dëmtuar. Ato janë vendosur në bunkerë të përforcuar dhe mbrohen nga sulmet me dronë përmes strukturave të mëdha prej çeliku. Secili central mund të sigurojë energji elektrike dhe ngrohje për disa qindra ndërtesa të larta banimi.

Por kompanitë energjetike kanë nisur të paralajmërojnë ndërprerje të planifikuara të rrymës, ndërsa supermarketet po përballen herë pas here me mungesa të disa produkteve. Kjo po e shton presionin mbi banorët që të largohen.

Megjithatë, Evgeniya Blyznyuk nuk pret një largim masiv nga kryeqyteti. Sipas saj, shumica e njerëzve ende nuk kanë marrë vendim, pasi hezitojnë të rrezikojnë vendet e punës ose t’i largojnë fëmijët nga shkolla.

“Ata do ta shtyjnë vendimin derisa kushtet të bëhen vërtet të papërballueshme”, përfundon ajo. /Telegrafi/

Lexo edhe

E mitura denoncon dhunë të vazhdueshme nga nëna dhe njerku në Pejë – kishte lëndime të dukshme, të dy arrestohen

E mitura denoncon dhunë të vazhdueshme nga nëna dhe njerku në Pejë – kishte lëndime të dukshme, të dy arrestohen

QMK: Janë shuar 27 zjarre, katër janë ende aktiv

QMK: Janë shuar 27 zjarre, katër janë ende aktiv

Nesër Rame Lahaj ngjitet në skenën e Zürichut me “PASSION & ORIGIN”

Nesër Rame Lahaj ngjitet në skenën e Zürichut me “PASSION & ORIGIN”

Me afrimin e dimrit dhe intensifikimin e sulmeve ruse, banorët e Kievit kërkojnë strehim diku tjetër | Momenti