Mbi gjysmë milioni euro detyrime doganore të dyshuara si të shmangura, HIB Petrol dhe menaxheri i saj përballen me drejtësinë

Mbi gjysmë milioni euro detyrime doganore të dyshuara si të shmangura, HIB Petrol dhe menaxheri i saj përballen me drejtësinë

Mbi gjysmë milioni euro detyrime doganore të dyshuara si të shmangura, HIB Petrol dhe menaxheri i saj përballen me drejtësinë

Më shumë se katër vjet pas aksionit të Doganës dhe Policisë së Kosovës në kompanitë e tregtimit të derivateve të naftës, rast për të cilin Gazeta Sinjali kishte raportuar në mars të vitit 2022, kompania “HIB Petrol” SH.P.K. dhe menaxheri i kontraktimeve të saj, Fatbardh Xhaferi, po përballen me akuza për shmangie të detyrimeve doganore në vlerë prej 545 mijë e 389 eurosh.

Sponsor 3M Express

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë në qershor të vitit 2025, ndërsa gjatë vitit 2026 kishte dorëzuar edhe një aktakuzë të plotësuar.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, kompania dhe zyrtari i saj dyshohet se kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të përfituar lirim nga detyrimet doganore gjatë importimit të derivateve të naftës.

Veprimet për të cilat akuzohen dyshohet se janë kryer gjatë periudhës nga 1 janari i vitit 2019 deri më 12 mars 2022.

Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara dhe shmangia e mbi gjysmë milioni eurove

Sipas Prokurorisë, dokumentet që nuk ishin nënshkruar nga Zyra Ndërlidhëse Greke dyshohet se ishin përdorur për të përfituar lirim nga pagesa e akcizës dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Shuma e përgjithshme e detyrimeve të dyshuara si të shmangura, sipas aktakuzës, arrin në 545 mijë e 389 euro.

Në qendër të rastit është Fatbardh Xhaferi, i cili në kohën e kryerjes së veprimeve të pretenduara ushtronte pozitën e menaxherit të kontraktimeve në HIB Petrol.

Xhaferi, gjatë deklarimit para hetuesve doganorë, kishte folur për komunikimet me një person të njohur si “Nazi”, si dhe për pagesat në llogarinë e kompanisë.

Rasti penal kishte nisur pas kallëzimit penal të ushtruar nga Sektori i Hetimeve i Doganës së Kosovës më 18 mars 2022, ndërsa një ditë më vonë Prokuroria kishte nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve.

Si kishte raportuar Sinjali në mars të vitit 2022?

Gazeta Sinjali kishte raportuar më 18 mars 2022 për aksionin e Doganës së Kosovës në HIB Petrol, nën dyshimet për keqpërdorimin e derivateve të naftës të destinuara për nevojat e ambasadave në Kosovë.

Këto derivate ishin të liruara nga akciza, ndërsa dyshimet fillestare ishin se ato kishin përfunduar në tregun e zakonshëm, duke shmangur pagesën e detyrimeve tatimore.

Një ditë më vonë, më 19 mars 2022, Gazeta Sinjali kishte zbuluar identitetin e zyrtarit të arrestuar të HIB Petrol, Fatbardh Xhaferit, i cili dyshohej se kishte keqpërdorur autorizimet që i ishin dhënë.

Aksioni përfshiu tri kompani, dëmi fillestar i dyshuar arrinte në rreth 600 mijë euro

Hetimet e atëhershme nuk ishin kufizuar vetëm në HIB Petrol.

Siç kishte raportuar Sinjali, aksioni i Doganës kishte përfshirë edhe kompanitë “Alfa Trade” dhe “Fer Petrol”, ndërsa dëmi i përgjithshëm që dyshohej se i ishte shkaktuar buxhetit të shtetit arrinte në rreth 600 mijë euro.

Përveç Xhaferit, në atë aksion ishin arrestuar edhe Hajdar Hajdari, pronar i kompanisë Alfa Trade, dhe Mehdi Gjoka, pronar i kompanisë Fer Petrol. sinjali.com

Më 21 mars 2022, Gazeta Sinjali kishte raportuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të tre të dyshuarve.

Në atë kohë, ata po hetoheshin për veprat penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

HIB Petrol mohon përgjegjësinë penale, pretendon se është palë e dëmtuar

Menjëherë pas aksionit të marsit të vitit 2022, HIB Petrol kishte reaguar publikisht, duke pretenduar se dyshimet lidheshin me një skemë të keqpërdorimit të emrit dhe autorizimeve të kompanisë, në të cilën mund të ishte përfshirë një punonjës që kishte vepruar individualisht dhe për interesa personale.

Në reagimin e publikuar atëherë nga Gazeta Sinjali, kompania e kishte cilësuar veten si palë të dëmtuar dhe kishte deklaruar se kishte vënë në dispozicion të autoriteteve dokumentacionin dhe mbështetjen e nevojshme për zbardhjen e rastit.

Edhe tani, përballë aktakuzës, HIB Petrol vazhdon të mohojë përgjegjësinë penale, duke pretenduar se është dëmtuar nga veprimet e individëve të caktuar.

Kompania ka theksuar gjithashtu se përmbushja e detyrimeve financiare të kërkuara nga Dogana e Kosovës nuk përbën pranim të përgjegjësisë penale.

HIB Petrol ka deklaruar se ka bashkëpunuar me Doganën dhe Prokurorinë gjatë trajtimit të rastit dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin për sqarimin e plotë të rrethanave.

Tashmë, më shumë se katër vjet pas arrestimeve dhe aksionit të Doganës, pretendimet e Prokurorisë ndaj HIB Petrol dhe Fatbardh Xhaferit do t’i nënshtrohen vlerësimit gjyqësor.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Rrezikohet siguria e punëtorëve, Inspektorati ndalon punimet në dy kantiere ndërtimi në Pejë dhe Gjakovë

Rrezikohet siguria e punëtorëve, Inspektorati ndalon punimet në dy kantiere ndërtimi në Pejë dhe Gjakovë

Dyshohet se u shtir si i sëmurë me leukemi dhe mblodhi mbi 162 mijë euro, GoFundMe ua kthen paratë të gjithë donatorëve

Dyshohet se u shtir si i sëmurë me leukemi dhe mblodhi mbi 162 mijë euro, GoFundMe ua kthen paratë të gjithë donatorëve

Komisioni për të Drejtat e Komuniteteve takon ambasadorin e Hungarisë në Kosovë

Komisioni për të Drejtat e Komuniteteve takon ambasadorin e Hungarisë në Kosovë

Mbi gjysmë milioni euro detyrime doganore të dyshuara si të shmangura, HIB Petrol dhe menaxheri i saj përballen me drejtësinë | Momenti