Shumica e personave që emigrojnë në Zvicër për arsye punësimi e kanë siguruar një vend pune para se të vendosen në këtë shtet.

Më shumë se dy të tretat e tyre kishin gjetur punë që para mbërritjes, ndërsa shumica e atyre që hynë në Zvicër pa një kontratë pune arritën të punësohen brenda tre muajve të parë.
Këto të dhëna dalin nga rezultatet më të fundit të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), të cilat bazohen në anketimin e popullsisë për vitin 2025.
Sipas raportit, dy të tretat e personave që mbërritën në Zvicër pa një vend pune arritën të gjenin punësim gjatë tre muajve të parë pas hyrjes në vend, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, pothuajse tetë në dhjetë emigrantë deklaruan se nuk kishin pasur vështirësi për të gjetur një punë që përputhej me kualifikimin e tyre profesional.
Një tjetër element i rëndësishëm është njohja e gjuhëve.
Rreth 41 për qind e personave të lindur jashtë Zvicrës deklaruan se para emigrimit kishin njohuri të avancuara të njërës prej gjuhëve zyrtare të kantonit ku jetojnë, ose se ajo ishte gjuha e tyre kryesore. Kjo përqindje është rritur krahasuar me vitin 2021.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se në vitin 2025, 42% e popullsisë së përhershme të Zvicrës mbi moshën 15-vjeçare kishte prejardhje migratore, që përfaqëson më shumë se tre milionë persona.
Sa i përket arsyeve të emigrimit, pothuajse katër në dhjetë persona janë vendosur në Zvicër për arsye familjare, ndërsa një përqindje e ngjashme kanë ardhur për arsye profesionale.
Raporti nënvizon se njohja e gjuhës së vendit, kualifikimet profesionale dhe mundësitë e punësimit luajnë rol të rëndësishëm në integrimin e emigrantëve në tregun zviceran të punës./Telegrafi/




