Një 18-vjeçar është arrestuar në Kaçanik, pasi ishte i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Sipas komunikatës së Policisë, rasti ka ndodhur më 24 nëntor, rreth orës 23:30, në rrugën “Arbëria”, ku njësiti policor kishte ndaluar një veturë të tipit “Opel Corsa”.
Gjatë verifikimit të 18-vjeçarit me inicialet E.B., është konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit prej një viti burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
I riu kishte tentuar të largohej, por pas ndjekjes nga policia në një distancë prej rreth dy kilometrash, është arrestuar, transmeton Klankosova.tv.
Pas përfundimit të procedurave policore, ai është dërguar për vuajtjen e dënimit.





