Dy grante ndërkombëtare në vlerë prej mbi gjysmë milioni eurosh dhe dyshimet për keqpërdorimin e mijëra eurove kanë çuar në arrestimin e dy personave që mbanin pozita drejtuese në një kompani kosovare.

Bëhet fjalë për Hasan Lahun dhe Taulant Muratin, të cilët kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”.
Dy të arrestuarit kanë mbajtur pozitat e drejtorit dhe menaxherit në kompaninë “Hirano”, ndërsa hetimet lidhen me dy grante në vlerë të përgjithshme prej 575 mijë e 736 eurosh.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, nga këto fonde janë keqpërdorur gjithsej 62 mijë e 902 euro, përmes paraqitjes së shpenzimeve për blerjen e makinerive si të realizuara plotësisht, ndonëse dyshohet se një pjesë e tyre nuk ishte shpenzuar për qëllimin e deklaruar.
Granti i parë, në vlerë prej 293 mijë e 500 eurosh, dyshohet se është keqpërdorur në shumën prej 23 mijë eurosh.
Ndërkohë, nga granti i dytë, në vlerë prej 282 mijë e 236 eurosh, dyshohet se janë keqpërdorur edhe 39 mijë e 902 euro të tjera.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, Lahu dhe Murati janë arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Me urdhër të prokurorit, të dy janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





