Në Shtime u mbajt takimi rajonal me mësimdhënësit e rajonit të Ferizajt, ku u diskutuan sfidat e sistemit arsimor dhe propozimet për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka mbajtur në Shtime një takim konsultues me mësimdhënësit e rajonit të Ferizajt, në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+, transmeton Klankosova.tv.
Në takim morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, përfaqësues të institucioneve arsimore, si dhe mësimdhënës e punëtorë të arsimit nga rajoni i Ferizajt.
Gjatë takimit, sipas njoftimit, Çeku theksoi rëndësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të mësimdhënësve në hartimin e strategjisë, duke vlerësuar se përvoja dhe propozimet e tyre janë të rëndësishme për përcaktimin e prioriteteve dhe hartimin e reformave që u përgjigjen nevojave reale të shkollave.
Ai po ashtu nënvizoi se përmirësimi i cilësisë së arsimit duhet të shoqërohet me fuqizimin e pozitës së mësimdhënësve dhe mbështetjen e tyre në punën e përditshme.
Ndërkaq, kryetari i SBAShK-ut, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të punëtorëve të arsimit në këtë proces, si dhe të vazhdimit të dialogut me Ministrinë për adresimin e sfidave me të cilat përballen mësimdhënësit.
Në kuadër të diskutimeve u trajtuan një sërë çështjesh që lidhen me të ardhmen e arsimit në Kosovë, përfshirë cilësinë e mësimdhënies, kushtet e punës, zhvillimin profesional, mirëqenien e punëtorëve të arsimit, autonominë dhe zhvillimin e shkollave, mësimin tërëditor, kurrikulën, digjitalizimin dhe financimin e arsimit.
Mësimdhënësit e pranishëm paraqitën shqetësimet dhe sfidat e tyre, duke ofruar edhe propozime konkrete për përmirësimin e sistemit arsimor.
Sipas njoftimit, MASh dhe SBAShK po vazhdojnë ciklin e konsultimeve me mësimdhënësit, ndërsa takimi i radhës është planifikuar me përfaqësues të rajonit të Prishtinës.
Procesi i konsultimeve synon që Strategjia e Arsimit 2035+ të hartohet duke marrë parasysh përvojat, nevojat dhe rekomandimet e mësimdhënësve dhe të komunitetit arsimor.




