Marrëveshja e migrimit e vitit 1938 ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë, sipas dokumenteve origjinale arkivore

Marrëveshja e migrimit e vitit 1938 ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë, sipas dokumenteve origjinale arkivore

Marrëveshja e migrimit e vitit 1938 ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë, sipas dokumenteve origjinale arkivore

Marrëveshja e panënshkruar ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë që ka qenë e mbyllur për hulumtuesit deri në janar 2025.

Sponsor 3M Express

Burimi: Sentez
Përgatiti në shqip: Telegrafi.com

Lëvizja e madhe e popullsisë e planifikuar në heshtje në Ballkan

Ndonjëherë projektet më të mëdha të historisë nuk shfaqen në fushëbeteja, por në dokumentet e ruajtura në raftet e pluhurosura të arkivave shtetërore. Një raport diplomatik, i gjendur në Arkivin Shtetëror të Republikës së Turqisë dhe i mbajtur i fshehtë për një kohë të gjatë, nxjerr në pah një nga projektet më të rëndësishme të lëvizjes së popullsisë në historinë e Ballkanit: Marrëveshjen e Migrimit të vitit 1938 ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë.

Sipas raportit të përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme, çështja e shpërnguljes në Turqi të popullsisë myslimane që jetonte në rajonet jugore të Jugosllavisë, në fund të viteve 1930, ishte bërë objekt i negociatave serioze diplomatike ndërmjet dy shteteve. Siç shprehet qartë në dokument, shpërngulja në Turqi e popullsisë myslimane, e cila kishte humbur tokat e saj, veçanërisht pas reformave agrare, shihej si një zgjidhje si humanitare, ashtu edhe politike. Megjithatë, çështja nuk kishte të bënte vetëm me migrimin. Ajo ishte një projekt i përmasave të tilla që mund të ndryshonte strukturën demografike të Ballkanit.

Llogaritjet e Jugosllavisë: toka dhe popullsia

Sipas dokumentit arkivor, qeveria jugosllave jo vetëm që e lejonte këtë shpërngulje, por edhe e nxiste atë. Arsyeja ishte mjaft e qartë: në Jugosllavinë e Jugut kishte një numër të madh fshatarësh sllavë pa tokë. Në rast të shpërnguljes së popullsisë myslimane, tokat që do të mbeteshin të lira do t’u shpërndaheshin këtyre fshatarëve dhe, në këtë mënyrë, do të zgjidhej një problem i rëndësishëm shoqëror për shtetin. Me pak fjalë, çështja nuk kishte të bënte vetëm me migrimin; bëhej fjalë për një lloj projekti të inxhinierisë demografike dhe shoqërore.

Komisioni i themeluar në Stamboll

Në verën e vitit 1938, për ta vënë në jetë këtë plan, u krijua një mekanizëm diplomatik ndërkombëtar. Ministri i Jashtëm i asaj kohe, Tevfik Rüştü Aras, e ngriti këtë çështje në mbledhjen e Paktit Ballkanik. Më pas u formua një komision i përbërë nga përfaqësues turq, jugosllavë dhe rumunë. Ndërkaq, përfaqësuesi grek mori pjesë në bisedime në cilësinë e vëzhguesit.

Komisioni i filloi punimet më 9 qershor 1938 në Stamboll dhe, pas bisedimeve që zgjatën rreth një muaj, më 11 korrik 1938 përgatiti një projektmarrëveshje. Projekti u nënshkrua me iniciale [vetëm nga pala turke]. Megjithatë, procesi u ndërpre para se të arrihej në fazën e nënshkrimit.

Plani i shpërnguljes së 200 mijë personave

Sipas projektmarrëveshjes së përgatitur, nga Jugosllavia në Turqi do të shpërnguleshin 40 000 familje, përkatësisht rreth 200 000 persona. Ishte planifikuar që shpërngulja të përfundonte brenda gjashtë vjetësh. Ndërkaq, popullsia që përfshihej në marrëveshje përkufizohej si më poshtë:

“Personat me shtetësi jugosllave, të cilët janë myslimanë dhe me prejardhje turke ose që i përkasin kulturës turke”.

Ky përkufizim ishte jashtëzakonisht i gjerë dhe hapte rrugën për një debat të ri në Ballkan.

Çështja shqiptare

Sipas raportit arkivor, në atë periudhë në Jugosllavi jetonin rreth 850 000 shqiptarë dhe 65 000 turq. Meqenëse shumë shqiptarë flisnin turqisht, theksohej se autoritetet jugosllave mund të dëshironin t’i përfshinin edhe ata në kategorinë e “turqve” dhe, rrjedhimisht, në procesin e shpërnguljes. Kjo situatë shkaktoi shqetësime serioze, veçanërisht te qeveria e Shqipërisë. Pra, plani mund të prekte jo vetëm turqit, por edhe një popullsi të gjerë myslimane në Ballkan.

Shpërngulja prej 20 milionë lirash

Edhe dimensioni ekonomik i planit të shpërnguljes ishte mjaft tërheqës. Sipas marrëveshjes, qeveria jugosllave do t’i paguante Turqisë 20 milionë lira turke në këmbim të pasurive të lëna pas nga popullsia që do të shpërngulej. Me vlerën e sotme, kjo shumë i përgjigjet një vlere prej më shumë se 300 milionë eurosh.

Pse nuk u zbatua?

Pavarësisht të gjitha përgatitjeve, marrëveshja nuk hyri në fuqi.

Për këtë kishte disa arsye: kundërshtimi i disa ministrave të qeverisë jugosllave, kundërshtimet e deputetëve shqiptarë, kriza politike që po thellohej gjithnjë e më shumë në Evropë dhe afrimi i Luftës së Dytë Botërore. Për këtë arsye, ndonëse marrëveshja ishte nënshkruar me iniciale, ajo nuk u nënshkrua kurrë.

Planet e padukshme të historisë

Edhe pse marrëveshja e shpërnguljes e vitit 1938 nuk u zbatua, ajo konsiderohet si një nga lëvizjet më të mëdha të planifikuara të popullsisë në historinë e Ballkanit. Dokumentet arkivore të sotme na tregojnë se ndryshimet demografike në Ballkan nuk janë vetëm rezultat i luftërave. Ndonjëherë, këto ndryshime fillojnë me planet e hartuara në tryezat e diplomatëve. Dhe, ndonjëherë historia merr formë nën hijen e një marrëveshjeje që nuk u nënshkrua kurrë. /Telegrafi/

Lexo edhe

Ngordh hipopotami i famshëm Fiona, pësoi komplikime pasi gëlltiti një kapelë të hedhur nga vizitori

Ngordh hipopotami i famshëm Fiona, pësoi komplikime pasi gëlltiti një kapelë të hedhur nga vizitori

Kurti mbrëmë në Kuvend: Kosovarët jetojnë më mirë si qytetarë të Republikës sesa si banorë të komunave

Kurti mbrëmë në Kuvend: Kosovarët jetojnë më mirë si qytetarë të Republikës sesa si banorë të komunave

KRM “Ambienti” i drejtohet pesë komunave për intervenim në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Thatë

KRM “Ambienti” i drejtohet pesë komunave për intervenim në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Thatë