CAS-i e ka rrëzuar vendimin e mëparshëm të Komisionit të Apelit të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), i cili në muajin mars ia kishte regjistruar Senegalit humbjen me rezultat zyrtar 3:0.
Finalja ishte zhvilluar më 18 janar të vitit 2026 në Rabat të Marokut. Senegali kishte fituar në fushë me rezultat 1:0, pas vazhdimeve, falë golit të Pape Gueye.

Ndeshja ishte ndërprerë përkohësisht në minutat e fundit të kohës së rregullt, pasi futbollistët e Senegalit kishin lëshuar fushën në shenjë proteste ndaj vendimit të gjyqtarit për t’i akorduar penallti Marokut. Përfaqësuesja marokene nuk kishte arritur ta shndërronte penalltinë në gol, ndërsa Senegali kishte fituar më pas në vazhdime.
Në vendimin e së martës, CAS-i ka vlerësuar se vendimi i gjyqtarit për penalltinë dhe pasojat e tij ishin çështje që i takonin fushës së lojës. Trupi gjykues, i përbërë nga tre anëtarë, e ka marrë vendimin unanimisht, pas një seance dëgjimore të mbajtur më 8 tetor në Lozanë të Zvicrës.
Federata e Futbollit të Marokut e ka cilësuar vendimin si të habitshëm dhe ka shprehur kundërshtimin e saj. Ajo ka pretenduar se CAS-i nuk i ka marrë parasysh siç duhet argumentet e saj, përfshirë edhe çështjen e përgjegjësisë disiplinore të futbollistëve që largohen nga fusha pa lejen e gjyqtarit.
Maroku ka ngritur gjithashtu shqetësime për një shkëmbim që, sipas federatës, kishte ndodhur dyzet e tetë orë para shpalljes së vendimit ndërmjet gjyqtarit gjerman të CAS-it, Ulrich Haas, dhe presidentit të Federatës së Futbollit të Senegalit.
Federata marokene ka bërë të ditur se do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore në dispozicion për ta kundërshtuar vendimin.
Burimi: RTKLive





