Lisian Thaçi, talenti i Bayern Munichut që ëndërron fanellën e Kosovës: Kombëtarja është në rend të parë

Lisian Thaçi, talenti i Bayern Munichut që ëndërron fanellën e Kosovës: Kombëtarja është në rend të parë

Lisian Thaçi, talenti i Bayern Munichut që ëndërron fanellën e Kosovës: Kombëtarja është në rend të parë

Futbollisti i ri kosovar, Lisian Thaçi, po e ndërton rrugëtimin e tij në një prej klubeve më të mëdha të futbollit evropian, Bayern Munich. Talenti 17-vjeçar ka rrëfyer në një intervistë për Telegrafin se si nisi rrugëtimi i tij drejt gjigantit gjerman, përvojën në programin special “Bayern World Squad”, përzgjedhjen në Bayern Global Academy, si dhe synimin e tij për ta veshur fanellën e Kosovës në një të ardhme të afërt.

Sponsor 3M Express

Gjithçka nisi në vitin 2025, kur Thaçi u përzgjodh në programin “Bayern World Squad”, ku aplikojnë mijëra futbollistë nga e gjithë bota, por pranohen vetëm 23 prej tyre. Në atë edicion, ai ishte lojtari më i ri që kishte marrë pjesë ndonjëherë, në moshën vetëm 15-vjeçare, pa i mbushur ende 16 vjet.

“Fillimisht, në vitin 2025 isha pranuar në programin special të Bayernit, World Squad, ku aplikojnë mijëra lojtarë nga e gjithë bota e ku pranohen vetëm 23. Në Bayern World Squad kam qenë lojtari më i ri që ka marrë pjesë ndonjëherë, vetëm 15 vjeç, ende pa i mbushur 16. Gjithë procesin e kanë udhëhequr agjentët e mi”, ka treguar Thaçi.

Përvoja në këtë program zgjati rreth një muaj, gjatë së cilës futbollistët patën mundësi të zhvillonin stërvitje të veçanta dhe disa ndeshje kundër klubeve të ndryshme. Nën drejtimin e ish-sulmuesit të njohur të Bayernit, Roy Makaay, Thaçi beson se krijoi raportin e parë të mirë me klubin gjerman.

“‘World Squad’ i vitit 2025 ka zgjatur rreth një muaj. Aty kemi pasur stërvitje të veçanta dhe disa ndeshje me klube të ndryshme. Trajner kryesor ka qenë Roy Makaay, nga i cili kam mësuar shumë. Besoj se aty ka lindur raporti i mirë me Bayernin. Pastaj, në fillim të këtij viti, më kanë njoftuar se jam përzgjedhur të jem pjesë e Bayern Global Academy”, ka deklaruar ai.

Përzgjedhja në akademinë e klubit gjerman erdhi pas një periudhe ku, sipas tij, vendimtare ishin konsistenca, përkushtimi dhe dëshira për t’u përmirësuar vazhdimisht. Thaçi beson se edhe stili i tij i lojës ka ndikuar në vlerësimin e bërë nga Bayerni.

“Mendoj se kam qenë konsistent, duke dhënë 100 për qind nga vetja në çdo stërvitje, dhe kam pasur dëshirë të madhe për t’u përmirësuar çdo herë. Ndoshta edhe mënyra e lojës, pasi më pëlqen të luaj thjesht dhe futboll të shpejtë”, është shprehur futbollisti kosovar.

Përvoja në Bayern Munich, sipas Thaçit, dallon në shumë aspekte nga ajo që kishte përjetuar më parë. Ai thekson se në akademinë e klubit gjerman gjithçka merret me seriozitet maksimal, ndërsa respektimi i rregullave dhe intensiteti i lartë i stërvitjeve janë pjesë e përditshmërisë.

“Të them të drejtën, ndryshon në shumë aspekte. Së pari, gjithçka merret shumë seriozisht, rregullat brenda akademisë duhet të respektohen në maksimum dhe stërvitjet janë çdo herë me intensitet të lartë. Të japësh më të mirën nga vetja është standard këtu”, ka thënë Thaçi.

Sa i përket objektivave të tij aktualë, talenti kosovar nuk dëshiron të nxitojë, por synon të përfitojë sa më shumë nga kjo mundësi, duke mësuar nga trajnerët dhe ambienti profesional ku po zhvillohet.

“Objektivi kryesor është që unë të mësoj sa më shumë nga trajnerët, stërvitjet e përditshme dhe gjithçka që më rrethon këtu. Jam duke u rritur në çdo aspekt si lojtar. Kjo është gjëja më e madhe që po ndodh tani për tani”, ka deklaruar ai.

Dëshira e madhe e Thaçit është që rrugëtimi i tij në Munich të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai shpreson të qëndrojë te Bayerni, klub për të cilin ka krijuar një lidhje të veçantë dhe nga i cili, siç thotë, po merr përkrahje në çdo aspekt.

“Natyrisht që dëshira ime e madhe është të vazhdoj të qëndroj në Bayern. E dua këtë klub dhe më pëlqen gjithçka në Munich. Mirëpo, të shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Klubi po më përkrah në çdo aspekt”, ka theksuar Thaçi.

Përtej karrierës në nivel klubesh, futbollisti i ri e ka të qartë edhe ëndrrën e tij në aspektin ndërkombëtar. Për të, përfaqësimi i Kosovës është synimi kryesor dhe shpreson që një ditë të ketë mundësinë të kontribuojë për kombëtaren dardane.

“Për mua, Kosova është në rend të parë. Çdo lojtar i rritur në Kosovë e ka ëndërr fanellën dardane. Shpresoj që do të mund ta ndihmoj kombëtaren tonë. E pres atë ditë”, ka përfunduar ai.

Në fund të intervistës për Telegrafin, Thaçi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe përcjelljen e vazhdueshme të rrugëtimit të tij drejt Bayern Munichut.

“Për fund dëshiroj ta falënderoj Telegrafin për mbështetjen dhe që e ka përcjellë zhvillimin dhe rrugëtimin tim deri te Bayerni”, ka thënë ai./Telegrafi/

Lexo edhe

Pallat milionësh, tualete pa letër e pa sapun – KGJK thotë se furnizohen çdo ditë, por s’tregon kur i kontrolloi

Pallat milionësh, tualete pa letër e pa sapun – KGJK thotë se furnizohen çdo ditë, por s’tregon kur i kontrolloi

Hykmete Bajrami i lëshon deklarimet e Kurtit në Kuvend kur thoshte se Kosova “flen mbi qymyr”

Hykmete Bajrami i lëshon deklarimet e Kurtit në Kuvend kur thoshte se Kosova “flen mbi qymyr”

Liderët e BE-së: Siguria e Evropës nuk mund të jetë pjesë e negociatave për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë

Liderët e BE-së: Siguria e Evropës nuk mund të jetë pjesë e negociatave për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë

Lisian Thaçi, talenti i Bayern Munichut që ëndërron fanellën e Kosovës: Kombëtarja është në rend të parë | Momenti