Linja hekurudhore Shkup-Prishtinë pritet të vihet në funksion deri në fund të vitit 2027. Sipas autoriteteve në Maqedoninë e Veriut, udhëtimi në këtë relacion parashihet të zgjasë rreth 50 minuta.
“Fillimi i qarkullimit varet nga përfundimi i modernizimit të hekurudhës në Kosovë, ku mbetet të përfundojë edhe një tunel. Pasi pala kosovare të përfundojë punimet, Maqedonisë së Veriut do t’i nevojiten edhe disa muaj për përgatitjet e nevojshme”, tha Alekasandar Nikolloski, zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit.

Sipas Nikolloskit, funksionalizimi i kësaj linje mund të ndikojë edhe në uljen e trafikut dhe të ndotjes së ajrit në Shkup, pasi më shumë se 10 mijë automjete qarkullojnë çdo ditë në relacionin Shkup-Prishtinë.
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Tetovës, Ruzhdi Matoshi, vlerëson se rikthimi i transportit hekurudhor do t’i shërbejë zhvillimit ekonomik, lëvizjes së qytetarëve dhe lidhjes më të mirë rajonale.
“Hekurudha apo transporti hekurudhor mundëson lëvizjen e lirë të njerëzve, ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, por edhe për komunikimin rajonal. Në aspektin ekonomik sjell rentabilitet dhe efekte ekonomike. Kosova ka një marrëveshje me Maqedoninë për thëngjillin, ku rreth 3 milionë tonë për tre vjet duhet të importohen nga Kosova”, theksoi ai.
Burimi: RTKLive




