Gazetari Vullnet Krasniqi, në emisionin “Ora Shtatë” është shprehur i bindur që presidentja Justina Shiroka-Pula do ta dekretojë Projektligjin për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Megjithatë, sipas tij, beteja e vërtetë fillon pas dekretimit të këtij ligji, transmeton Klankosova.tv.
“Puna me dekretin e presidentes nuk besoj se ka me qenë problem, kjo ka me kry sepse besoj se ka qenë pjesë e marrëveshjes. Besoj se ajo do ta dekretojë. Beteja nis pasi ajo e dekreton. Unë nuk jam fort i sigurt nëse kësaj beteje qysh kemi me iu qasë dhe sa kemi me mujt me mbrojt”, u shpreh Krasniqi në Klan Kosova.
Ai thekson se Ligji për Specialen është po ashtu një test tejet i rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës.
“Mos të harrojmë që ky është një test shumë i rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës, për një arsye të vetme. Nëse arrijnë me mbrojt këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara do të ishte një fitore shumë e madhe e Kuvendit, përndryshe nëse neve dhe përfaqësuesve të këtij populli ia rrëzon kjo Gjykatë Kushtetuese brenda një Dhome të Specializuar që është e përbërë me gjyqtarë ndërkombëtarë, edhe pak a shumë është një sistem paralel i kësaj gjykate që vetë e kemi krijuar, ka me fillu një betejë politike, që do të jetë koha e LDK-së. Unë pres që kjo betejë të jetë shumë e ashpër politike në Kosovë, për shkak që LDK ka një kartë politike për këtë ligj”, tha Krasniqi.




