Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot, më 20 nëntor, pritet të vazhdojë rigjykimi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e rëndë të shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila humbi jetën pasi ra nga dritarja e katit të gjashtë të një hoteli në Fushë-Kosovë.

Nika ishte dënuar me 18 vjet burgim më 19 shkurt 2026. Gjykata e Apelit e anuloi aktgjykimin pasi aprovoi ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu çështjen në rigjykim. Në seancën e parë të rigjykimit, më 1 shtator, Nika u deklarua i pafajshëm.
Çfarë thotë aktakuza
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ngjarja ndodhi më 1 gusht 2023, në hotelin “Sonoma” në Fushë-Kosovë. Prokuroria pretendon se, pas një mosmarrëveshjeje, Nika e goditi partneren e tij dhe tentoi ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.
Sipas aktakuzës, goditjet dhe shtyrjet vazhduan në dhomën e hotelit. Prokuroria pretendon se si pasojë u shkëput korniza e dritares dhe Urdangaray ra nga kati i gjashtë. Ajo pësoi lëndime të rënda dhe ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Mbrojtja e kundërshton versionin e Prokurorisë dhe pretendon se rënia ishte aksidentale, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e dritares së hotelit.
Në seancën e 12 tetorit, recepsionistja e hotelit dëshmoi se kishte dëgjuar një zhurmë të fortë dhe se, kur doli jashtë, e pa Urdangarayn të shtrirë mes xhamave të thyer. Sipas dëshmisë së saj, argjentinasja ishte ende gjallë dhe kërkonte ujë.
Pse Apeli e anuloi dënimin
Gjykata e Apelit konstatoi shkelje procedurale që lidheshin me përbërjen e trupit gjykues, të drejtën e të akuzuarit për përkthim dhe arsyetimin për mbylljen e një pjese të seancës për publikun.
Apeli kërkoi që në rigjykim të dëgjohen roja i hotelit dhe dy infermieret që shkuan në vendin e ngjarjes, si dhe që gjykata të krahasojë ekspertizën e paraqitur nga mbrojtja në procedurën e ankesës me atë të shqyrtuar në gjykimin e parë.
Shënim: Personat e apostrofuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





