Erërat e forta shkaktojnë dëme në disa komuna të Kosovës

Erërat e forta shkaktojnë dëme në disa komuna të Kosovës

Erërat e forta shkaktojnë dëme në disa komuna të Kosovës

Erërat e fuqishme që përfshinë Kosovën gjatë mbrëmjes së së enjtes shkaktuan dëme të shumta materiale në disa pjesë të vendit, ndërsa në zona të ndryshme u raportuan edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Sponsor 3M Express

Një nga komunat më të prekura ishte Ferizaj, ku situata u përkeqësua deri në atë masë sa, me kërkesë të Policisë së Kosovës, u ndërpre furnizimi me energji elektrike, me qëllim të garantimit të sigurisë së qytetarëve.

Sipas KEDS-it, dëmtimet në infrastrukturën energjetike dhe avaritë e shkaktuara nga erërat e forta e bënë të domosdoshme marrjen e këtij vendimi. Zyrtari i kompanisë, Adlum Ramadani, ka bërë të ditur se qindra ekipe janë angazhuar në terren për sanimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Ai ka theksuar se Ferizaj, Gjilani, Prizreni dhe Prishtina janë ndër komunat ku janë evidentuar pasojat më të mëdha në rrjetin elektrik.

Dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe në kryeqytet. Në lagjen Matiqan, disa dritare u shkëputën nga një ndërtesë dhe ranë mbi një veturë, duke shkaktuar dëme materiale. Ndërkaq, në lagjen Ulpiana, afër shkollës fillore “Hasan Prishtina”, u raportua për rënien e një pjese të kulmit të një ndërtese. Dëme u evidentuan edhe në lagjen Mati.

Probleme të shumta u regjistruan edhe në komunën e Rahovecit. Në Krushë të Madhe, erërat dëmtuan kulmin e një biznesi, ndërsa pjesë të tij, përfshirë llamarina, përfunduan në rrugën Gjakovë–Prizren, duke paraqitur rrezik për pjesëmarrësit në trafik. Për largimin e tyre intervenuan ekipet e zjarrfikësve.

Ndërkohë, në magjistralen Prishtinë–Pejë, konkretisht në fshatin Vragoli, era rrëzoi një ndriçues në mes të rrugës, duke shkaktuar bllokim të qarkullimit për disa minuta.

Pasojat e motit të lig nuk e kursyen as Prizrenin. Në zonën e Shadërvanit u dëmtuan dhe u rrëzuan tavolinat dhe karriget e lokaleve të gastronomisë.

Dëme materiale u raportuan edhe në komunën e Kamenicës, në fshatin Ruboc, ku një qytetari i janë rrëzuar dy sera bujqësore, me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 300 metrash katrorë.

Situata ishte veçanërisht e rëndë edhe në Ferizaj, ku, përveç dëmeve në biznese, ndërtesa publike dhe automjete, Policia ka raportuar edhe për një person të lënduar. Ekipet policore dhe emergjente intervenuan në disa rrugë dhe hapësira publike për largimin e pengesave dhe parandalimin e rreziqeve të mëtejshme.

Përveç Ferizajt, ndërprerje të energjisë elektrike u raportuan edhe në disa pjesë të Lipjanit, ndërsa probleme në rrjetin elektrik u evidentuan gjithashtu në Prishtinë, Gjilan dhe Prizren.

Ndërkaq, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar erëra me shpejtësi nga 30 deri në 45 kilometra në orë, me rafale që mund të arrinin shpejtësi edhe më të larta.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

17 punëtorë të KEK-ut kanë vdekur këtë vit

17 punëtorë të KEK-ut kanë vdekur këtë vit

Mot me diell në Kosovë, temperaturat deri në 18 gradë, por…

Mot me diell në Kosovë, temperaturat deri në 18 gradë, por…

Erërat e forta rrëzojnë shtyllat elektrike në Dardhishtë, zona mbetet pa energji

Erërat e forta rrëzojnë shtyllat elektrike në Dardhishtë, zona mbetet pa energji

Erërat e forta shkaktojnë dëme në disa komuna të Kosovës | Momenti