Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot, më 13 nëntor, u dhanë fjalët përfundimtare në rigjykimin ndaj vëllezërve Besnik dhe Ilaz Salihu për rastin e vrasjes së Salih Salihut në Dumnicë të Epërme të Podujevës, raporton Gazeta Sinjali.

Pas fjalëve përfundimtare, gjykata e mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe caktoi shpalljen e aktgjykimit për 17 nëntor. Me të hyrë në sallën e gjykimit, Besnik Salihu përshëndeti familjarët e pranishëm.
Në gjykimin e parë, më 11 shkurt 2026, Gjykata e dënoi Besnik Salihun me dënim unik prej 25 vjetësh burgim për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihun e liroi nga akuza. Lënda më pas u kthye në rigjykim.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas Prokurorisë, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08, pas një mosmarrëveshjeje në Dumnicë të Epërme, Besnik Salihu dyshohet se iu afrua papritur Salih Salihut dhe e qëlloi dy herë me armë zjarri. Sipas aktakuzës, Salih Salihu vdiq në vendin e ngjarjes, ndërsa i akuzuari u largua. Besnik Salihu akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Ilaz Salihu akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. Prokuroria pretendon se ai e ndihmoi me dashje vëllain e tij, duke i premtuar se do t’i fshihte provat pas kryerjes së veprës.
Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali





