Vonesat në përcjelljen e lëndëve mes Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit u diskutuan të premten, më 20 nëntor, në Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës. Në të njëjtën mbledhje, Asambleja rekomandoi trajtimin e lëndëve penale që figurojnë ende të pazgjidhura në sistem, megjithëse afati i hetimeve ka kaluar pa u ngritur aktakuzë.

Gjatë diskutimit për Raportin e Progresit, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, tha se në disa raste lëndët me ankesa nga Dragashi mbërrijnë më shpejt se ato nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ai shprehu shqetësim për vonesat dhe tha se shkaqet e tyre mbeten të paqarta.
Totaj foli edhe për mungesën e gjyqtarëve dhe të bashkëpunëtorëve profesionalë, e cila, sipas tij, ndikon në efikasitetin e Apelit. Sa u përket lëndëve të korrupsionit, ai tha se koha e hartimit të vendimit varet nga gjyqtari që e trajton rastin.
Arrni kërkon të dhëna për lëndët që vonohen pas vendimit të Apelit
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, tha se pas marrjes së detyrës kishte identifikuar raste kur lëndët ishin përcjellë me vonesë në Apel. Ai tha se i kishte kërkuar administratorit të gjykatës ta adresonte çështjen, përfshirë shqyrtimin e përgjegjësisë së mundshme të zyrtarëve.
Arrni shtoi se kishte marrë shqetësime edhe për raste kur kolegjet e Apelit kishin marrë vendim, por lëndët ishin kthyer me vonesë në Themelore. Për këto raste, ai tha se kishte kërkuar të dhëna për t’ia përcjellë Totajt.
Afati i hetimeve ka kaluar, lëndët ende figurojnë të pazgjidhura
Asambleja rekomandoi që gjykatat të identifikojnë dhe të trajtojnë lëndët penale në procedurën paraprake që ende figurojnë si të pazgjidhura në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), edhe pse afati ligjor i hetimeve ka kaluar pa u ngritur aktakuzë. Njoftimi i mbledhjes nuk specifikon numrin e këtyre lëndëve.
Në mbledhje u rekomandua edhe zbatimi i Udhëzuesit të Përgjithshëm për Matjen e Dënimit dhe përfshirja e rekomandimeve të Raportit të Progresit në planet e punës dhe të veprimit të gjykatave për vitin 2027.
Diskutimi për mënyrën e caktimit të anëtarëve të kolegjeve përmes SMIL-it në Gjykatën e Apelit dhe në gjykata të tjera u shty për mbledhjen e ardhshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





