Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur sot, më 12 nëntor 2026, seanca dëgjimore ndaj Zikica Beloseviqit dhe Gruica Beloseviqit, të dyshuar për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile. Gjatë seancës, një nënë dëshmoi se në luftë ia kishin vrarë gjashtë fëmijë, raporton Drejtësia nga Sinjali.

Në dëshminë e saj, ajo rrëfeu për 15-vjeçaren që, sipas saj, ishte ende gjallë pasi e kishin qëlluar me plumb. Para gjykatës, kujtoi edhe çfarë u kishte thënë të tjerëve në ato çaste.
“E kishin gjuajt me plumb e shpirti nuk i dilte. Ju thashë, a rrimë këtu me të derisa t’i dalë shpirti?”, dëshmoi ajo.
Nëna tregoi se e kishte pyetur vajzën tjetër se si kishte arritur të shpëtonte.
“Si shpëtove, oj nanë?”, tha se e kishte pyetur. “Kanë vra shumë njerëz”, i ishte përgjigjur vajza, sipas dëshmisë së saj.
Dy të dyshuar për përfshirje në masakrën e 26 marsit 1999
Rasti lidhet me masakrën e 26 marsit 1999 në Padalishtë të Istogut, ku civilë shqiptarë u vranë gjatë operacioneve të forcave serbe. Në mesin e viktimave kishte edhe anëtarë të familjes Imeraj.
Zikica Beloseviq, 59 vjeç, dhe Gruica Beloseviq, 56 vjeç, u arrestuan më 29 tetor 2026. Sipas raportimit të mëhershëm të Gazetës Sinjali, hetuesit kishin dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale më 25 shtator 2026, pas mbledhjes së dëshmive dhe provave materiale.
Sinjali kishte raportuar gjithashtu se Zikica Beloseviq ishte arrestuar në Osojan të Istogut dhe se gjatë kontrollit në pronën e tij ishin gjetur dokumente që lidheshin me shërbimin në ushtrinë serbe dhe fotografi nga periudha e luftës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





