Gjykata e Apelit e Kosovës e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Eduard Ibrahimit, Përparim Ibrahimit dhe Lirim Begollit. Apeli e aprovoi si të bazuar ankesën e avokatit Besnik R. Berisha, mbrojtës i Eduard Ibrahimit, dhe e anuloi në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Eduard Ibrahimi ishte dënuar me 21 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ai mbetet në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në aktvendimin PAKR.nr.411/2026, Apeli konstatoi shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Sipas kolegjit, Themelorja kishte lënë pa sqaruar fakte vendimtare për rrjedhën e ngjarjes, megjithëse Gjykata Supreme kishte kërkuar sqarimin e tyre kur e kishte kthyer rastin në rigjykim në maj të vitit 2023.
Dy armë u shkrepën, mbeti e pasqaruar kush qëlloi me armën e gjetur pranë të ndjerit
Sipas aktvendimit, ekspertiza balistike kishte vërtetuar se dy gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes ishin shkrepur nga dy armë të ndryshme. Njëra ishte shkrepur nga arma e Eduard Ibrahimit, ndërsa tjetra nga arma e gjetur pranë trupit të të ndjerit L.B.
Apeli vlerësoi se Themelorja duhej të sqaronte se kush e kishte shkrepur armën e gjetur pranë të ndjerit dhe në cilin moment. Ekspertiza mjekoligjore kishte konstatuar se, pas plagosjes në kokë, L.B. nuk do të mund të ndërmerrte veprime fizike për sulm apo mbrojtje. Sipas Apelit, koha e shkrepjes nga ajo armë dhe identiteti i personit që e përdori mbetën fakte vendimtare të pasqaruara edhe pas rigjykimit.
Berisha kishte argumentuar në ankesë se arma dhe gëzhoja e gjetur në vendngjarje duhej të vlerësoheshin bashkë me ekspertizat dhe deklarimet e dëshmitarëve. Sipas mbrojtjes, asnjëri nga dy dëshmitarët nuk e kishte parë se kush kishte shtënë i pari. Berisha kërkoi që gjykata të shqyrtonte nëse Ibrahimi kishte vepruar në mbrojtje të nevojshme, siç pretendon i akuzuari. Në seancën e kolegjit, Ibrahimi e mbështeti ankesën e mbrojtësit të tij dhe i shprehu keqardhje familjes së të ndjerit.
Anulohet aktgjykimi edhe për dy të akuzuarit e tjerë
Me aktgjykimin e 15 prillit 2026, Themelorja i kishte shqiptuar Eduard Ibrahimit 20 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe një vit e gjashtë muaj për armëmbajtje pa leje, duke i caktuar dënim unik prej 21 vjetësh.
Përparim Ibrahimi ishte dënuar me 11 muaj burgim për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Lirim Begolli ishte dënuar me 10 muaj burgim për dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale. Për shkak të ndërlidhjes së veprave penale, Apeli e shtriu efektin e vendimit edhe te këta dy të akuzuar, të cilët nuk kishin ushtruar ankesë.
Përfaqësuesit ligjorë të të ndjerit kishin kërkuar ashpërsimin e dënimeve. Pas anulimit të aktgjykimit, Apeli e cilësoi ankesën e tyre për dënimet si pa objekt për momentin.
Në rigjykim, Themelorja duhet të përsërisë shqyrtimin e provave, t’i vlerësojë ato veçmas dhe në lidhje me njëra-tjetrën, si dhe të arsyetojë secilin fakt vendimtar. Udhëzimet e Supremes kërkojnë gjithashtu sqarimin e rrezikut konkret për jetën e dy personave të tjerë që ndodheshin në vendngjarje.
Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





