Ish-futbollistja Edonisa Aliu ka folur për incidentin me analistin sportiv Liridon Leci, që dyshohet se ndodhi pas përfundimit të emisionit në një nga televizionet në Kosovë.

Në emisionin “Kosova Today”, Aliu ka dhënë versionin e saj për ngjarjen, duke deklaruar se është fyer dhe se incidenti e ka prekur edhe në aspektin personal dhe familjar.
“Unë i kam nëntë dëshmitarë. I pres pamjet filmike nga momenti kur është mbyllur emisioni deri në fund, që të dalin pamjet dhe të zbardhet e gjithë e vërteta. Pas emisionit, unë jam denigruar si femër, më ka prekur në moral, më ka prekur në familje”, ka deklaruar Aliu.
Ndërkaq, Prokuroria e Prishtinës ka dhënë detaje lidhur me rastin, duke iu referuar edhe pamjeve të kamerave të sigurisë.
Sipas Prokurorisë, Aliu është intervistuar në cilësinë e palës së dëmtuar dhe ka deklaruar se pas përfundimit të emisionit është fyer dhe është kapur për fyti nga Liridon Leci. Ajo ka marrë tretman mjekësor në Obiliq, por, sipas raportit mjekësor, nuk janë vërejtur shenja apo gërvishtje të dukshme.
Megjithatë, sipas përgjigjes së Prokurorisë, më 12 tetor, Njësia e Hetimeve ka siguruar pamjet nga kamerat e sigurisë, në të cilat, sipas saj, shihet se Edonisa Aliu e ka kapur për fyti dhe e ka goditur në fytyrë Liridon Lecin.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka iniciuar çështjen për veprat penale lëndim i lehtë trupor dhe deklarim i rremë.
Prokuroria ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit.
“Ndërkohë, Liridon Leci ishte ftuar të ishte pjesë e studios në emisionin ‘Kosova Today’, por ai nuk mori pjesë.




