Alice Huang, një drejtuese e sektorit të teknologjisë, është gruaja që dyshohet se ka spiunuar për Kinën gjatë një lidhjeje me shefin e Nvidia-s, Jensen Huang, sipas raportimeve të mediave amerikane.

E njohur edhe si Huang Le, ajo raportohet se ka qenë një figurë e lartë në kompaninë Megaspeed International, me bazë në Singapor, e cila operon në sektorin e qendrave të të dhënave.
Sipas New York Times, Alice Huang është shtetase kineze dhe dyshohet se ishte rekrutuar nga Pekini për të mbledhur informacione rreth Jensen Huang, një prej figurave më të rëndësishme të industrisë globale të Al.
Pavarësisht mbiemrit të njëjtë, Alice Huang nuk ka lidhje familjare me 63-vjeçarin Jensen Huang, i lindur në Tajvan.
Sipas raportimeve, ajo flet rrjedhshëm anglisht dhe ka lidhje të forta në nivelet më të larta të industrisë së çipave për Al.
Një profil i gjetur në një databazë kineze fondesh pretendon se Alice Huang ka punuar më herët në HSBC, si dhe si gazetare për CCTV dhe Hunan TV.
Mediat amerikane kanë raportuar se Alice Huang dhe Jensen Huang kishin një marrëdhënie të afërt.
Vetë shefi i Nvidia-s u tha punonjësve të kompanisë se ishte “thellësisht i penduar” që kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij.
Fotografi dhe video nga ngjarje të industrisë teknologjike në vitet 2024 dhe 2025 i kanë shfaqur të dy së bashku në disa raste.
Sipas New York Times dhe Wall Street Journal, zyrtarët amerikanë arritën vitin e kaluar në përfundimin se Alice Huang kishte synuar Jensen Huang si pjesë e një operacioni spiunazhi.
Në atë periudhë, ajo raportohet se ishte një drejtuese e lartë në Megaspeed International, kompani që jep me qira kapacitete kompjuterike për trajnimin dhe funksionimin e sistemeve të Al.
Në faqen e saj, Megaspeed prezantohet si “partner kryesor i biznesit të Nvidia-s për cloud computing në rajonin Azi-Paqësor”.
Kompania raportohet se është hetuar nga autoritetet amerikane që nga viti 2024 për dyshime se mund të ketë ndihmuar në dërgimin e çipave Nvidia drejt Kinës, pavarësisht kufizimeve amerikane për eksportin e teknologjive më të avancuara.
Autoritetet e Singaporit gjithashtu raportohet se kanë hetuar kompaninë, ndërsa Alice Huang është marrë në pyetje gjatë vitit 2025
Megaspeed ka mohuar më herët çdo përfshirje në transferime të paligjshme të çipave, duke i cilësuar raportimet si “të pasakta dhe çorientuese”. /Telegrafi/




