Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, i është kundërpërgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahirit, pas kritikave të tij për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare në Qeveri, duke i kërkuar që akuzat t’i bëjë konkrete dhe me emra.
Kusari-Lila ka kundërshtuar edhe deklaratën e Tahirit se shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e opozitës, duke thënë se një pjesë e tyre kanë pasur përvojë në opozitë parlamentare ose në shoqërinë civile.

“Mora shkas të dal këtu para jush nga deklarimi i shefit të grupit parlamentar të Aleancës, zotit Besnik Tahiri. Demokracia funksionon me institucione funksionale, e pikërisht mangësia jonë kryesore si shtet në dy vitet e fundit ishte mungesa e funksionimit mirëfilltë të Kuvendit si shtet, si demokraci parlamentare. Tani që kemi Kuvend funksional, pozita dhe opozita ballafaqohen me faktet që i paraqesin, por me fakte. Zoti Tahiri na rëndoi neve si anëtarë të kabinetit qeveritar në disa rrafshe. I kërkoi grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje që të na mbajë në llogari për demokraci të brendshme, për arsye se shumica prej nesh asnjëherë s’kemi qenë pjesë e opozitës. Nuk është fakt, është deklaratë e gabuar, është opinioni i tij ndoshta që mundohet t’ju tregojë të tjerëve. Prej kreut të qeverisë, zotit Albin Kurtit, si opozitar prej kohës së regjimit të Slobodan Millosheviqit, e në vazhdimësi në periudhën e demokracisë pas çlirimit dhe pastaj formimit të institucioneve, edhe 12 përfaqësues të kabinetit qeveritar, ose kanë qenë opozitë parlamentare ose opozitë nga shoqëria civile. Prandaj të hedhësh një deklaratë të tillë për kolegë që kemi qenë ose që ju kemi bërë opozitë dikur qeverisë tuaj nuk është e saktë. Dhe faktet në parlament, edhe kudo tjetër, janë më të rëndësishme se opinionet për arsye se opinionet të pambështetura pa fakte bien. Kjo është e para”, tha ajo.
Duke iu referuar akuzave për nepotizëm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, Kusari-Lila tha se ato duhet të konkretizohen, duke kërkuar nga Tahiri që të përmendë emra dhe raste konkrete.
“E dyta, për akuzat për nepotizëm e keqpërdorim të pozitës zyrtare. Gjithashtu, fatmirësisht jemi demokraci funksionale, ku fjala e lirë thuhet edhe këtu, edhe jashtë, pa ndoshta pa kontroll më shumë se sa që do të duhej të kishte nevojë në realizim, natyrisht të vërtetës, por që të gjitha mund t’i thuani me emër. Por nëse deklaroheni për një deklarim të përgjithshëm, nepotizëm e keqpërdorim, duke qenë ne këtu prezent e duke heshtur, nuk më duket se është në rregull”, tha ajo.
Në anën tjetër, Tahiri ka insistuar se ka raste konkrete të punësimeve në institucione dhe ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike emrat.
“Ministria, vetëm kur u kon me LDK-në. Kur 10 vjet s’u kon në pozitë. Unë po ju kërkoj juve, për shkak se do të vijë me emra, po lexoni lajmet dhe kështu shihni cili është punësimi momental në qeveri, në institucionet e pavarura dhe cili profesionist hyn në institucionet kryesore. Kjo është kërkesë decidive për ju. Për shkak se ne e dimë— Ne e dimë saktësisht listën se kush ku është. Ju keni persona me aktakuzë në ministrinë e juve që e mbani. Pse e mbani, ministre? Nuk keni qenë opozitë, keni qenë shoqëri civile”, tha Tahiri./EO
Burimi: Dukagjini




