Fabrika e municionit në Gjakovë pritet të realizojë prodhimin e parë testues deri në fund të dhjetorit të këtij viti, ndërsa pjesa tjetër e kompleksit industrial, përfshirë laboratorët dhe depot, parashihet të përfundojë gjatë vitit 2027.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së Kuvendit, ku iu përgjigj pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, lidhur me financimin, detyrimet financiare dhe afatet e funksionalizimit të fabrikës.
Kurti e cilësoi këtë projekt si strategjik për vendin, duke theksuar se prodhimi vendor i municioneve synon të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Kosovës dhe të ulë varësinë nga prodhuesit e huaj.
“Edhe në këtë mandat do të përqendrohemi për zhvillimin e kësaj industrie. Në këtë kuadër, kompleksi industrial për prodhimin e municioneve në Gjakovë është projekt strategjik për vendin dhe për rritjen e kapaciteteve tona mbrojtëse. Prodhimi vendor do ta forcojë vetëqëndrueshmërinë e Kosovës me furnizimin me municione për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë”, deklaroi Kurti.
Duke folur për afatet e projektit, kryeministri bëri të ditur se deri në fund të dhjetorit 2026 pritet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës dhe të realizohet prodhimi i parë testues i municioneve.
“Deri në fund të dhjetorit 2026 parashihet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës dhe të realizohet prodhimi i parë testues i municioneve. Laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit parashihen të përfundojnë gjatë vitit 2027”, theksoi ai.
Kurti bëri të ditur gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes ka rekrutuar stafin që do të punojë në fabrikë, ndërsa para fillimit të prodhimit testues, punonjësit do të ndjekin trajnime të specializuara në Turqi.
Kryeministri njoftoi se para nënshkrimit të kontratës janë realizuar edhe dy studime të fizibilitetit nga kompani të dy shteteve anëtare të NATO-s.
Sa i përket një milion eurove të parapara në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”, Kurti sqaroi se kjo shumë është e dedikuar për rrethimin e zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 144 hektarë, dhe jo drejtpërdrejt për ndërtimin e fabrikës së municionit.
Ndërkaq, deputetja Besa Kabashi-Ramaj kërkoi sqarime për programin, nënprogramin dhe kodin buxhetor përmes të cilit është paraparë financimi i fabrikës në vitin 2027. Ajo kërkoi gjithashtu të dijë vlerën e përgjithshme të marrëveshjes me kompaninë shtetërore turke MKE, shumën e paguar deri më tani dhe detyrimet që mbesin për vitet e ardhshme.
Në përgjigjen e tij, Kurti bëri të ditur se kontrata me kompaninë turke është paguar plotësisht dhe se nuk ka detyrime financiare të papaguara ndaj saj. Megjithatë, ai theksoi se për shkak të klasifikimit të marrëveshjes, vlera e përgjithshme dhe hollësitë financiare e teknike nuk mund të bëhen publike.
I pyetur për kompanitë e përfshira në projekt dhe shtetet prej nga vijnë, Kurti tha se publikimi i këtyre të dhënave nuk do të ishte në interes të Kosovës.
“Nuk mendoj se është e dobishme të tregohet se cilat janë kompanitë, nga cilat shtete publikisht, që pastaj kundërshtarët e armiqtë e Republikës së Kosovës t’u qasen atyre. Është gabim”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, fundi i vitit 2026 ishte përmendur edhe më herët nga zyrtarë të Qeverisë si afat për përfundimin e pjesës prodhuese dhe realizimin e prodhimit të parë testues të municioneve në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





